Nga Gazeta ‘SI’ – Borxhi publik dhe deficiti ishin tema kryesore e debatit në komisionin e Ekonomisë, midis deputetëve dhe ministrit të Financave.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, tha se borxhi publik është ulur si pasojë e zhvlerësimit të euros por jo realisht, duke e quajtuar këtë si një risk për shtetin.
Ministri Petrit Malaj argumentoi se, kursi i këmbimit ka ndikuar vetëm me 0.7% në uljen e borxhit publik.
“Efekti i kursit të këmbimit për vitin 2025 ka qenë në masën 0.7 %, rezultati i rënies së borxhit publik vjen si rezultat i politikave të qeverisë. Borxhi duhet të vijë nga ulje nga viti në vit dhe deficitit buxhetor s’duhet të jetë më i lartë se investimet kapitale”, sqaroi ministri.
Më tej, socialisti Erion Braçe i propozoi ministrit që qeveria të falë edhe detyrimet për bashkitë, ashtu siç po bën për bizneset private.
“Detyrimet e prapambetura të këtij viti, a kemi ndonjë plan ne si t’i zerojmë borxhet për pushtetin vendor. Nuk ka pasur asnjë instrument që të pastrojë llogaritë e tyre, a e bëjmë dot edhe për to, siç po e bëjmë për kompanitë private? Kanë burime të kufizuara”, pyeti Braçe, duke theksuar se vetë ai është kundër “Paqes Fiskale”.
Në përgjigje, Malaj tha se nuk e mbështet propozimin e Braçes.
“Nga 2024-2025, borxhi i pushtetit vendor ka ardhur në rënie, nga 3.6 mld lekë në 3.1 mld lekë. Këto nuk janë borxhe të vjetra, 90% janë të reja. Bashkitë që janë në vështirë financiare, qeveria i alokon një fond për t’i ndihmuar. Nëse do të konsiderojmë fshirjen e detyrimeve, duhet vendimmarrje politike. Ne nuk e inkurajojmë këtë gjë. Garancitë sovrane janë 30 mld lekë, 71.6% i është dhënë kreditorëve të huaj dhe 28% kompanive lokale”, tha ministri.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Financave tha se në 2026-n, borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së nga 54.1% që pritet të jetë në fund të 2025-s. Sipas parashikimeve, borxhi publik do të ulet në 46.4% në vitin 2031.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



