Kombetarja

Sylvinho: ‘Në Botëror me Shqipërinë është një mision. Shpresojmë të mos përballemi me Italinë…’

Ish-asistenti i Mancini-t te Interi dhe Tite-s te Brazili, aktualisht në stolin e Shqipërisë, pak orë për ndeshjes me Andorrën, foli pë shtypin italian: “Asllani kishte nevojë të luante titullar, Torino i bëri mirë. Kam studiuar 5 vite në Coverciano: të flasësh italisht në Shqipëri është një avantazh.”

Një sukses historik në Serbi, dhe tani Shqipëria është vetëm një hap larg “playoff”-it për Botërorin.
“Na duhet të fitojmë në Andorra,” shpjegon trajneri brazilian i kuqezinjve. “Nëse ia dalim dhe Serbia nuk merr tre pikë në Angli, do të jemi në ‘playoff’. Tre vite më parë ishte një ëndërr, tani është bërë objektiv, madje një mision: të shpresojmë të shkojmë për herë të parë në një Botëror me Shqipërinë… është diçka e madhe, një emocion që përfshin të gjithë popullin — në atdhe dhe në diasporë.”

Në Europian e vutë Italinë në vështirësi, barazuat me Kroacinë dhe humbë minimalisht me Spanjën. Rritje që ka vazhduar.
“Po, terreni ishte i përgatitur mirë nga trajnerët italianë përpara meje si De Biasi, Reja dhe Panucci. Pa harruar që shumë lojtarë janë formuar në Itali dhe unë vetë kam studiuar 5 vite në Coverciano: të dish italishten në Shqipëri është një avantazh. Kemi struktura të mira, kemi bërë një punë të madhe zbulimi mes fëmijëve të diasporës dhe i kemi organizuar një skuadër teknike, që luan me ndjenjën e peshës së fanellës. Edhe kjo bën diferencën.”

Mes atyre që kanë bërë hapin cilësor është Asllani?
“Po, kishte nevojë të luante rregullisht, të ishte titullar. Largimi nga Inter drejt Torinos e ka ndihmuar të rritet: tani është një futbollist ndryshe, gjithmonë i përfshirë në lojën tonë, si regjisor ashtu edhe si mesfushor i avancuar. Ai na ndihmon të mbajmë ekuilibrin mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse — që është cilësia më e madhe e skuadrës sonë.”

A ishte fitorja në Serbi më shumë se një ndeshje futbolli?
“Po, është e vërtetë, edhe pse ndeshja jonë më e mirë ishte ajo 0-0 e luajtur në Tiranë. Në Leskovac nuk ishte e lehtë, as për atmosferën. Por pati respekt mes dy skuadrave, pavarësisht situatës gjeopolitike që ekziston. Kur u kthyem në Tiranë, gjetëm një vend në festë, të çmendur nga gëzimi.”

Keni thënë se nga 1 në 10 ndiheni 8.5 shqiptar. Po sa afër ndiheni nga 1 në 10 për “playoff”-in?
“Kemi një avantazh, një ‘match ball’, dhe ndjej që nuk do na zërë frika, siç thoni ju në Itali. Por gjithçka mund të ndodhë, sepse nuk varet vetëm nga rezultati ynë.”

Nëse Shqipëria shkon në “playoff”, nuk do të jetë në vazon e katërt, prej nga do dalë kundërshtarja e parë e Italisë. Diçka e mirë si për Gattuso-n ashtu edhe për ju.
“Ne i marrim gjërat hap pas hapi, ndërsa Italia e ka të sigurt të paktën ‘playoff’-in. Shpresoj që me Gattuso-n të kthehet në Botëror, por pa u ndeshur me Shqipërinë në ndonjë Finale…”

Nëse vazhdoni kështu, do t’ju bëjnë një statujë në Tiranë.
“Ajo që bëri diferencën ishte zgjedhja ime për të jetuar që në fillim në Shqipëri, për të qenë mes njerëzve, për të ndjerë atmosferën e vendit. Njerëzit më falënderojnë në rrugë. Me stafin tim ndjemë që ishim njerëzit e duhur, në vendin e duhur, në momentin e duhur.”

Të shkosh në Botëror mbetet një ëndërr apo tashmë është objektiv?
“Eshtë ëndrra e jetës sime, por e dimë që për ne asgjë nuk është e lehtë. Siç u them gjithmonë lojtarëve të mi: të qëndrojmë gjallë, të qëndrojmë brenda lojës. Dhe të shohim si do të përfundojë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë