Erald Themeli, drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, duke folur në komisionin e Ekonomisë, rezervoi një “kritikë” për qeverinë dhe nismën e saj për “Paqen Fiskale”.
Ai tha se praktikat e amnistive fiskale duhen shmangur.
“Për formalizimin absolutisht ka vend për përmirësim, domethënë ne konstatojmë në atë lexim të projektbuxhetit që kemi bërë, faktin që ka një përpjekje shtesë për hyrjen në formalizimin e ekonomisë, megjithëse praktika e ‘Paqes fiskale’ është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë, nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi për këtë, po patjetër ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë”, thotë Themeli duke shtuar se duhet dhe një rishqyrtim i shpenzimeve tatimore, sipas aplikimit të përjashtimeve tatimore.
Gjatë fjalës, Themeli shtoi se pritet një reduktim në ecurinë e turizmit.
“Të ardhurat nga turizmi pritet të vijojnë të rriten edhe në vitin 2026 por është e qartë se rritja eksponenciale që ky sektor ka pasur në dy, tre vitet e shkuara, ka pak gjasa që të vijojë edhe në të ardhmen. Pra duhet pranuar që edhe sektori i turizmit, të paktën në terma të të ardhurave totale që siguron për ekonominë shqiptare, do të jetë një rritje më e ngadaltë gjatë viteve të ardhshme. Gjithashtu dua të shtoj dhe diçka, është e vërtetë që ne kemi pasur një rritje të shpejtë të të ardhurave të turizmit, por gjithashtu kemi pasur një rritje e faturës së importeve të lidhur me turizmin. Pra, një pjesë e madhe e shpenzimeve të turistëve këtu, shkojnë për shpenzime për import. Kjo duhet parë si një mundësi për ekonominë shqiptare, pra, fakti që vlera e shtuar e në ekonominë shqiptare duhet të rritet më tej nëpërmjet integrimit të zinxhirëve prodhues në furnizimin e konsumit të turizmit”, tha Themeli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



