Ne rrjet

Si u sulmua Parisi, nga Stade de France në ‘Bataclan’: çfarë ndodhi 10 vjet më parë

Një rindërtim i ditës së terrorit në kryeqytetin francez, më 13 nëntor 2015, ku 130 njerëz u vranë vetëm brenda pak orësh nga një celulë terroristësh të ISIS-it

Gazeta Si – Natën e 13-14 nëntorit 2015, Parisi u sulmua nga një grup terroristësh islamikë të lidhur me ISIS-in. Tre nga këta sulmues hynë në sallën historike të koncerteve Bataclan, ku po lunate grupi muzikor “Eagles of Death Metal” dhe, përpara se të hidhnin veten në erë me jelek shpërthyes, vranë 90 persona.

Terroristë të tjerë kryen sulme vetëvrasëse pranë “Stade de France” dhe hapën zjarr në disa bare dhe restorante në të gjithë qytetin.

Në total, 130 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën. Më poshtë, më rend kronologjik janë ngjarjet e asaj mbrëmjeje terrori.

Lule qëndrojnë në xhamin e thyer nga plumbat në restorantin “Le Petit Cambodge” në Paris, 15 nëntor 2015

13 nëntor 2015, ora 21:16, Paris, Saint-Denis

Një shpërthim ndodh në periferinë e Parisit, Saint-Denis, pranë stadiumit “Stade de France”, ku po luhej një ndeshje miqësore midis ekipeve kombëtare të futbollit të Francës dhe Gjermanisë. Rreth 80,000 spektatorë ishin në tribuna, përfshirë edhe presidentin e atëhershëm, François Hollande.

Personi përgjegjës për shpërthimin ishte një sulmues vetëvrasës (Bilal Hadfi, një francez me origjinë marokene), i cili mbërriti pak vonë në krahasim me orarin që kishin hyrë tifozët.

Dy viktima: terroristi dhe një person tjetër që ishte aty pranë. Në orën 21:19 dhe 21:53, dy sulmues të tjerë vetëvrasës (“Ahmad al-Mohammed” – emri ndoshta pas të cilit fshihej irakiani Ammar Ramadan Mansour Mohamad al-Sabaaëi – dhe “M al-Mahmod”), hodhën veten në erë pranë stadiumit, por pa arritur të vrisnin më shumë njerëz.

Trupi i një personi të vrarë në sulm, jashtë “Bataclan”, Paris, 13 nëntor

13 nëntor 2015, ora 21:25, Paris: komuna 10-të, “Rue Alibert dhe Rue Bichat”

Tre terroristë (Abdelhamid Abaaoud, Brahim Abdeslam dhe Chakib Akrouh) dolën nga një mjet tip “Seat León” i marrë me qira, vranë shoferin e një makine tjetër dhe më pas hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish jashtë barit, “Le Carillon” në rrugën “Rue Alibert” dhe më pas ndaj klientëve në restorantin “Le Petit Cambodge”, i cili ndodhet disa hapa më larg në “Rue Bichat”. Tre sulmuesit më pas hipën përsëri në makinën e tyre dhe ikën. Ky sulm i dyfishtë la 13 të vdekur.

13 nëntor 2015, ora 21:32, Paris: komuna 11-të, “Rue de la Fontaine-au-Roi” dhe “Rue du Faubourg du Temple”

Tre sulmuesit në një mjet tip “Seat” mbërritën në kryqëzimin e “Rue de la Fontaine-au-Roi” dhe “Rue du Faubourg du Temple” dhe hapën zjarr përpara barit “La Bonne Bière” dhe restorantit “Casa Nostra”: 5 të vdekur.

13 nëntor 2015, ora 21:36, Paris, komuna 11-të, “Rue de Charonne”

Pasi udhëtuan një distancë të shkurtër, tre sulmuesit në mjetin “Seat” arritën në “Rue de Charonne”, ku sulmuan klientët në restorantin “La Belle Équipe” për disa minuta, duke lënë 21 të vdekur.

Tifozët në Stade de France në Saint-Denis, 13 nëntor 2015

13 nëntor 2015, ora 21:40, Paris: komuna 11-të, “Boulevard Voltaire”

Një nga tre terroristët, Brahim Abdeslam, del nga makina e tij në “Boulevard Voltaire”, ulet në barin “Comptoir Voltaire” dhe e hedh veten në erë, duke vrarë veten dhe duke plagosur rreth 15 persona, njëri prej të cilëve rëndë.

13 nëntor 2015, ora 21:50, Paris: komuna 11-të, “Boulevard Voltaire”

Një grup tjetër prej tre terroristësh (Omar Ismail Mostefai, Samy Amimour, Foued Mohamed-Aggad), sulmojnë “Bataclan”, një sallë të famshme koncertesh, ku grupi amerikan “Eagles of Death Metal” po performonte para afërsisht 1,500 personave. Sulmuesit qëllojnë mbi turmën dhe marrin pengje.

Ish-presidenti francez, Francais Hollande, i pranishëm gjatë shpërthimit të bombave në Stade de France

13 nëntor 2015, ora 22:30, Paris: komuna 8-të, “Place Beauveau”

Presidenti francez, François Hollande mbërrin në Ministrinë e Brendshme për të monitoruar zhvillimet. Një minutë pas mesnatës, ai shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe njofton mbylljen e kufijve.

14 nëntor 2015, ora 12:20 e mëngjesit, Paris: komuna 11-të, “Boulevard Voltaire”

Forcat speciale të policisë arrijnë të hyjnë në “Bataclan”. Operacioni përfundon pas më shumë se gjysmë ore.

Numri i viktimave: 90 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Edhe sulmuesit janë të vdekur.

Njerëz të frikësuar pas shpërthimit të bombave në Paris dhe situatës kaotike

14 nëntor 2015, Paris

Menjëherë pas mesnatës, presidenti Hollande u shfaq në televizion duke i quajtur sulmet “një akt lufte” dhe duke ia atribuar ato terroristëve të Shtetit Islamik. Rreth një orë më vonë, ISIS konfirmoi fjalët e presidentit francez, duke marrë përgjegjësinë për sulmet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ishte 130 (plus dy të mbijetuarit që më vonë kryen vetëvrasje për shkak të çrregullimit të stresit post-traumatik) dhe më shumë se 400 të plagosur.

Lule jashtë restorantit “Le Carillon”, Paris, 14 nëntor 2015

17-18 nëntor 2015, Paris, periferi “Saint-Denis”

Policia gjen një apartament në Saint-Denis, ku fshihen dy të dyshuar. Abdelhamid Abaaoud vritet nga oficerët, ndërsa Chakib Akrouh shpërthen një bombë vetëvrasëse, duke vrarë veten dhe një grua që ishte me dy terroristët.

18 mars 2016, Bruksel, Moleenbeek

Një nga terroristët që morën pjesë në sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, arrestohet në një apartament në lagjen “Moleenbeek” të Brukselit.

Qytetarë francezë shoqërohen me mjete transporti në spitale për shkak të traumave pas atentateve

29 qershor 2022, Paris

Sistemi francez i drejtësisë shpall 19 nga 20 të pandehurit fajtorë për të gjitha akuzat për sulmet e Parisit të vitit 2015 (i njëzeti është dënuar për krime më të lehta). Gjashtë nga të dënuarit gjykohen në mungesë (pesë prej tyre ka të ngjarë të kenë vdekur para gjyqit).

Salah Abdeslam, i vetmi i pandehur që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në sulmet e Parisit të vitit 2015, kryesisht si shofer, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë