Gazeta Si – Mikel Hoxha, 33 vjeç, nipi i ish-deputetit të PDIU-së, Dritan Bici, është ekstraduar pas 7 vitesh drejt Shqipërisë nga autoritetet britanike.
Ai ishte shpallur në kërkim që prej qershorit 2018, pas një plagosjeje të rëndë me armë zjarri të ndodhur në qytetin e Gramshit.
Fillimisht, më 23 prill 2021, Hoxha u dënua në mungesë me 17 vite burg, për akuzat “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Megjithatë, Gjykata e Apelit Durrës ndryshoi më pas kualifikimin ligjor të veprës penale, duke e riklasifikuar në “Plagosje e rëndë me dashje” dhe e dënoi atë me 4 vite heqje lirie.
Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi në qershor të vitit 2018, në sheshin kryesor të qytetit të Gramshit, përballë komisariatit të policisë, ku pas një konflikti pati të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, mbeti i plagosur Admir Haruni, banor i zonës.
Një muaj më parë, media britanike, “Daily Mail” i kushtoi një artikull 33-vjeçarit, ku shkruhej se si Hoxha po përpiqej t’i shpëtonte ekstradimit.
“Daily Mail” shkruante se për pesë vite, Hoxha jetoi në Britani pa u zbuluar nga autoritetet, deri në shtator 2023, kur më në fund u arrestua në Cardiff, ku jetonte në një shtëpi me vlerë 170 mijë paund.
Në atë kohë, ai ndodhej në lirim me kusht nga emigracioni, ndërsa apelonte refuzimin e kërkesës për azil.
Ai është mbajtur në burgun e Wandsworth që nga arrestimi dhe po përpiqej të ndalojë ekstradimin përmes sistemit ligjor britanik, duke përdorur nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) – të drejtën për jetën familjare – duke pretenduar se kthimi në Shqipëri do të dëmtonte partneren dhe dy fëmijët e tij të mitur, të lindur në vitet 2019 dhe 2022 në Britani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



