Ka ndodhur

U ndërtuan pa leje, shemben me tritol 3 vila në Sauk (video)

Gazeta Si – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur me shpërthim të kontrolluar tre vila pa leje që po ndërtoheshin pa leje në Sauk të Tiranës.

Pamjet i ka shpërndarë në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëron se operacioni nuk do të ndalet.

“Nuk mund të ndërtohen vila të shtrenjta për qëllime fitimi në dëm të ligjit e në kurriz të komuniteti. Operacioni nuk do të ndalet askund dhe përballë askujt, deri kur asnjë të mos e mendojë fare më se mund të ndërtojë metra katrorë pa leje”, njoftoi Rama.

Ndërkohë, për këtë rast pesë inspektorë të IMT Tiranë kanë rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi lejuan ndërtimin pa leje të objekteve.

Në operacionin policor “Wrong Project” u ndaluan inspektorët Gjergji Male, Krenar Rexhepi, Aldo Dubi, Odise Cenaj dhe Endri Dervishi.

Policia njofton se një tjetër inspektor është nën hetim, ndërsa 3 inspektorë të tjerë janë shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë