Politike

PD kërkon përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi për 10 ditë

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i është përgjigjur “flakë për flakë” grupit të PS-së që po kërkon përjashtimin me një muaj të kryetarit Sali Berisha për fyerjen e pretenduar ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato.

Sot(7 nëntor), Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla.

Sipas PD-së, gjatë seancës parlamentare të 6 nëntorit, Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.

Ishte Belind Këlliçi që i kërkoi dje Niko Peleshit masa ndaj Ballës, por ai kërkoi t’i drejtoheshin Sekretarisë.

PD shkruan se kjo sjellje e Ballës është e përsëritur seancë pas seance dhe deri tani sipas tyre ka mbetur e pandëshkuar.

Fyerjet që PD ka evidentuar në kërkesë janë: “ju lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar” etj.

“Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare.

Prova për përdorimin e gjuhës jo parlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit”, shkruan PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë