Rend dhe Ligj

Zgjedhjet lokale në 5 bashki, 612 policë në terren për ruajtjen e 473 qendrave të votimit

Gazeta Si – Të paktën 612 punonjës dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale në 5 bashki që do të mbahen këtë të diel.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit thotë se ka  hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas policisë, do të monitorohet çdo tentativë për tjetërsimin e votës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike të respektojnë ligjin për një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.

Ndërkohë, lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.

Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Policia thotë se janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

“Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.“, thuhet në planin e policisë.

Të dielën, 334 mijë e 539 zgjedhës në pesë bashki të vendit, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, do t’u drejtohen 472 qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre me votë.

Në garë janë 13 kandidatë, ku kandidatët socialistë do të përballen me rivalë të pavarur, të cilët kanë mbështetjen e opozitës së bashkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë