Treg

Shqiptarët blenë 43 mld lekë tituj me vlerë. Bie interesi i investitorëve të thjeshtë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në periudhën janar-shtator 2025, shqiptarët blenë pak më shumë se 43 mld lekë nga borxhi i qeverisë, në formën e titujve të investimit. Kjo vlerë është rritur me 2% nga një vit më parë.

Sipas shifrave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, numri i transaksioneve ka rënë me rreth 17%.

Shifrat tregojnë se Bonot e Thesarit 12-mujore janë investimi më i preferuar, me rreth 23 mld lekë të investuara aty. Obligacionet 7-vjeçare dhe ato 2-vjeçare kanë tërhequr po ashtu investitorë, respektivisht me 3.5 dhe 3.2 mld lekë të investuara.

AMF tregon se ka një rënie të interesit nga qytetarët e thjeshtë, pra klientët joprofesionistë, transaksionet e të cilëve janë pakësuar me 25% nga një vit më parë, por ka një rritje të bleësve të kualifikuar.

Përgjatë 2 viteve të fundit, yield-et e letrave me vlerë kanë qenë në nivele minimale, shumë pranë normës së interesit, duke e bërë këtë investim jo shumë tërheqës për qytetarët.

Në një raport të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë theksonte se rënia e yield-eve të titujve vjen si pasojë e një kërkese më të lartë nga investitorët se sa nevoja e qeverisë për financim. Pritjet për një klimë financiare pa rreziqe, kanë ndikuar gjithashtu në reduktimin e interesit për investimin në borxhin e qeverisë.

Prej disa muajsh, për borxhin publik të Shqipërisë janë interesuar edhe të huajt, të cilët vitin e shkuar blenë 14.4 mld lekë tituj me vlerë në vendin tonë. Shifra të mëvonshme nuk janë ende publike.

Ky fenomen u vërejt për herë të parë në vitin 2024 dhe u pa si zhvillim pozitiv nga Banka e Shqipërisë, por jo nga qeveria.

Kryetar i komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe u shpreh i shqetësuar për interesin e të huajve, pasi aty mund të ketë edhe investitorë nga vende jo-mike. Ai i kërkoi Guvernatorit Gent Sejko origjinën e investitorëve.

Braçe vuri theksin se është e nevojshme ndërtimi me ligj një sistem kontrolli me qëllim që ekonomia e hapur të mos infektohet nga kapitale që e kanë origjinën e tyre nga vende jo mike. Sistemi bankar e financiar i këtij vendi duhet të jetë në alert të vazhdueshëm edhe për këtë

Sejko tha se nuk ka informacion për origjinën e blerësve të borxhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë