Politike

Miratohet ligji i ‘Barazisë Gjinore’. PS-PD bashkohen për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe Territoriale

Nga Gazeta ‘SI’ – Me 77 votat pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi sot projektligjin e shumëdebatuar “Për barazinë gjinore”.

36 deputetë të opozitës votuan kundër.

Projektligji dominoi diskutimet e seancës maratonë, me demokratët që akuzuan socialistët se po i hapin rrugë deformimit të familjes tradicionale.

Drafti i Barazisë Gjinore dhe aktet e tjera të rendit të ditës kaluan në votim të menjëhershëm, pasi grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim të projektligjeve në rendin e ditës.

PS kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin e votimit pa debat pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë.

Me 77 vota të mazhorancës u miratua edhe raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike për mosngritjen komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. 32 deputetë të opozitës votuan kundër.

Parlamenti ka miratuar me 105 vota pro ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në seancën e sotme.

Në fund të seancës qeveria dhe opozita u dakordësuan për miratimin e dy komisioneve të posaçme parlamentare bipartizane që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore dhe tjetra me atë Territoriale.

Të dyja votimet u miratuan me 105 vota pra nga të dyja kahet dhe një kundër, votë e Erald Kaprit të Partisë Mundësia.

Dy komisionet e shumëpërfolura pritet të ndryshojnë ndarjen territoriale në vend, sa i përket edhe numrit të bashkive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë