Treg

Sejko: Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, sfidë e re për sistemin financiar

Nga Gazeta ‘SI’ – Në Workshopin Kërkimeve Ekonomike për Europën Juglindor, guvernatori i Bankës së Shqipërisë foli për herë të parë për ndikimin e AI-së në tregjet financiare.

Sejko tha se përballë një zhvillimi të shpejtë të inteligjencës artificiale, kërkohen më shumë analiza të thelluara, pasi për sistemet janë sfida të reja dhe komplekse.

“Inovacioni i vrullshëm teknologjik, i shoqëruar me përdorimin në rrtje të inteligjencës artificiale, po transformon mënyrën se si funksionojnë ekonomitë dhe tregjet financiare. Nga ana tjetër, zhvillimet demografike jo të favorshme dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës po e bëjnë mjedisin ekonomik më të ndërlikuar. Të gjitha këto trende po i vendosin sistemet financiare dhe politikat monetare e ekonomike përballë sfidave të reja dhe risive komplekse, të cilat kërkojnë analiza të thelluara, kuptim më të mirë të veprimeve ndërsektoriale dhe vendimmarrje të bazuar në prova e rigorozitet shkencor”, tha Sejko në takim.

Ndër të tjera Sejko tha se pavarësisht ecurisë pozitive, perspektiva e ekonomisë përballet me sfida dhe pasiguri.

“Të dhënat makroekonomike në vend tregojnë për një ecuri pozitive të rritjes ekonomike, shoqëruar me një klimë të favorshme për zhvillim ekonomik afatgjatë, të mbështetur nga stabiliteti monetar e financiar. Inflacioni i çmimeve të konsumit ka mbetur në nivele të ulëta dhe të kontrolluara, kushtet monetare e financiare janë të përshtatshme dhe bilancet e sistemit bankar janë të shëndosha, duke shërbyer si një shtyllë kyçe e stabilitetit makroekonomik dhe një partner aktiv në realizimin e objektivave zhvillimorë të vendit.

Megjithatë, ekonomia shqiptare, por edhe ajo globale, po përballen me pasiguri të shumta dhe një sërë sfidash të reja që kërkojnë një qasje strategjike dhe fleksibilitet të politikave makroekonomike.

Pasiguritë globale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve vazhdojnë të ndikojnë pritshmëritë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet tregtare të vendit.

Njëkohësisht, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike e private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit. Nga ana tjetër, ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore, duke ndikuar në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike,” tha Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë