Nga Gazeta ‘Si’- Projektligji për barazinë gjinore ka përplasur në Kuvend kreun e opozitës Sali Berishën dhe kreun e grupit të PS, Taulant Balla.
Berisha deklaroi se sipas tij ky projektligj është kundër familjes dhe tha se është i bazuar fund e krye me ideologjinë e ekstremit të majtë dhe përmbys kushtetutën e vendit.
“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoj të nderuarit të nxjerrë se cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë u thotë shqiptarëve këtë gjë? Ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në 2016-ën, de-facto u mohon prindërve të drejtën e edukimit të tyre, me dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë dhe djalë! Ky ligj gjobit udhëheqësit fetarë e shpirtërorë.
De-facto në shoqërinë post-marksiste të shtetit post-marksist godet familjen të bazuar në binaritetin biologjik!”, u shpreh nga foltorja kreu i PD-së.
Nga ana tjetër, Balla akuzoi Berishën se sulmoi ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato. Ai deklaroi se do i drejtohej Komisionit të Etikës që të merreshin masa ndaj Berishës, për të cilin Balla tha se duhet të japë shpjegime.
Sipas tij, prej 35 vitesh Berisha po sulmon ambasadorët e huaj dhe partnerët e Shqipërisë dhe pikërisht për këtë shkak është shpallur non grata nga SHBA-të.

“Dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi këtu ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato. Ky sulm ndodhi nga një njeri që ka 35 vite që sulmon ambasadorët dhe që bie ndesh me interesin tonë kombëtar dhe me partnerët ndërkombëtare dhe me parimin dhe objektivin se Shqipëria në vitin 2030 do jetë anëtare e BE-së. Por ju nuk e doni vendin të integruar në bashkimin Evropian.
Ne do depozitojmë kërkesë te Komisioni i Etikës për këtë rast që deputeti të japë shpjegime për këtë sulm ndaj ambasadorit. Në fakt SHBA e ka shpallur non grata zotërinë pikërisht për sulmet ndaj partnerëve dhe ambasadorëve ndërkombëtarë”, tha Balla.
Për replikë, Berisha e quajti trillim atë që tha Balla duke theksuar se nuk ka fyer asnjë ambasador të huaj.
“Hedh poshtë me përçmim trillimin e parafolësit sepse në fjalën time skam fyer asnjë ambasador të huaj, por i kam kërkuar zotërisë së tij t’u paraqesë shqiptarëve cila direktivë europiane bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë.
S’ka njeri që respekton më shumë se unë ambasadorët, por më shumë dua vendin tim”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



