Ekonomi

Buxheti 2026/ IT jo më sektor prioritar. Shtohen fondet për Mbrojtjen

Nga Gazeta ‘SI’ – Buxheti i vitit 2026, më i madhi në historinë e Shqipërisë, arrin vlerën e 823 mld lekëve, me fokus në konsolidimin fiskal dhe stabilitetin makroekonomik.

Qeveria parashikon një rritje progresive të të ardhurave, por me ritme më të ngadalta se viti i shkuar. TVSH-ja, zëri kryesor i arkës, parashikohet të rritet me 7% në vlerën e 242 mld lekëve. Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të sjellë 5% më shumë të ardhura, 88 mld lekë dhe akciza po ashtu, 74.5 mld lekë. Arkëtimet nga tatim-fitimi pritet të kenë rritjen më të fortë, 7.8% në 65 mld lekë.

Ndryshimet

Drafti tregon se vitin e ardhshëm do të marrë fund “përkëdhelja” e sektorit të teknologjisë, të cilët do të futen në regjimin normal tatimore, me 15% dhe jo më 5%. Kjo pritet t’i sjellë arkës më shumë se 500 mln lekë të ardhura shtesë.

Qeveria parashikon të marrë rreth 2 mld lekë nga tatimi i lojërave të fatit si dhe një shtesë prej 1.3 mld lekësh nga rritja e taksës për qiratë.

Po ashtu nga 1 janari do të nisë rivlerësimi i pronave, me 5% nga 15%, por nuk parashikohet të sjellë të ardhura shtesë për buxhetin.

Vitin e ardhshëm, fermerët do të kompensohen me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, nga 0% që është aktualisht kjo normë tatimore. Efekti financiar i kësaj mase llogaritet në minus 1.5 miliardë lekë.

Në vitin 2026 do të zbatohet për herë të parë politikat e zbritjes së shumës prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç. Administrata tatimore do të kompensojë rreth 1.5 miliardë lekë.

Shpenzimet

Nga ana tjetër shpenzimet parashikohen më të larta se të ardhurat, 886.7 miliardë lekë dhe qeveria pret të dalë me një deficit prej rreth 63 mld lekëve.

Investimet Publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën 6.5% e PBB ose 179.6 miliardë lekë, nga të cilat 5 mld lekë do të shkojnë për fondin e Rindërtimit.

Qeveria do të shpenzojë 204 mld lekë për skemën e sigurimeve shoqërore, nga të cilat 11.65 mld lekë do të ndahen për indeksimin e pensioneve dhe bonusin mujor të tyre. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliardë lekë ose 2.4% e PBB.

Administrata do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 140.1 mld lekë plus një zgjerim i fondit të pagave me 10 mld lekë.

Më pak para për PPP-të

Në vitin 2026, financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) parashikohen të ulen.

Sipas të dhënave, totali i fondeve për këto projekte zbret nga 13.9 miliardë lekë në vitin 2025 në rreth 12.08 miliardë lekë në vitin 2026.

Ndër projektet kryesore, kontrata për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohen 660 milionë lekë.

Edhe për 2026-n parashikohet financimin i inceneratorit të Tiranës me 1 mld lekë.

Për dy kontrata kryesore pritet të ulen. Programi i check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë në vitin 2026, nga 876 milionë lekë në 2025, ndërsa pagesat për shërbimin e doganave ulen lehtë nga 1.52 në 1.5 miliardë lekë.

Ndërsa projekti i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe shërbimeve të dezinfektimit pëson një tkurrje drastike, duke zbritur nga 1.9 miliardë lekë në 2025 në vetëm 500 milionë lekë në 2026. 

5% e PBB-së për Mbrojtjen

Ministria e Shëndetësisë mbetet përfituesi më i madh i buxhetit, 82.5 mld lekë, por rritja më e fortë e fondeve rezulton ministria e Mbrojtjes. Në kuadër të qëllimit të NATO-s, buxheti i ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri është rritur me 20%, pothuajse 59 mld lekë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni i dytë me vlerën më të madhe, 77.3 miliardë lekë.

Arsimit i është dedikuar një buxhet prej rreth 65 mld lekësh.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ketë një buxhet prej 41.7 miliardë lekësh, rreth 5 mld lekë më pak se një vit më parë.

Buxhet i konsiderueshëm prej 35.7 miliardë lekë shkon dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme ku përfshihen pagat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

16.2 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Bujqësisë ku pjesa më e madhe e fondeve të akorduara shkon për mbështetjen e fermerëve, rritjen e prodhimit dhe eksportin.

Ministria e Drejtësisë do të marrë një buxhet prej 14.9 miliardë lekësh; Ministria e Financave do të ketë një buxhet prej 12.5 miliardë lekë, Ministria e Turizmit 7.4 miliardë lekë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme 3.7 miliardë lekë dhe Ministria e Mjedisit 3.2 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2026, pushteti vendor do të përfitojë në total 47.3 miliardë lekë në formën e transfertave, nga të cilat 27.8 miliardë lekë ose 59% është transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme e cila shpërndahet përmes formulës, 14 miliardë lekë ose 30% është në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, dhe 5.5 miliardë lekë ose 11 % në formën e transfertës sektoriale për rritjen e pagave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë