Rend dhe Ligj

Skema e mashtrimit për vjedhjen 50 mln eurove, si dështoi plani i 2 kinezëve në Shqipëri

Gazeta Si – Skema që dy kinezët e arrestuar të shtunën, përdorën për të mashtruar shqiptarët, kishte në qendër falsifikimin e faqeve zyrtare të Postës Shqiptare, përmes të cilave synohej të përfitoheshin të dhëna bankare të qytetarëve.

Sipas burimeve paraprake, bëhet me dije se Njësia e Krimit Kibernetik ka arritur të parandalojë vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shqiptarëve dhe një dëm të mundshëm financiar që kapte shifrën e rreth 5 miliardë lekëve, ose 50 milionë eurove.

Të dyshuarit, dërgonin linqe që imitonin faqen e Postës Shqiptare. Pasi qytetarët klikonin linkun, ata fitonin akses tek të dhënat personale dhe më pas tek llogaritë bankare. Paratë e planifikuara për t’u marrë jashtë vendit llogariteshin rreth 50 milionë euro.

Të arrestuarit janë identifikuar si Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, të cilët kishin mbërritur në Tiranë një javë më parë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për realizimin e mashtrimit.

Ata qëndronin në një hotel pranë qendrës së kryeqytetit, ku gjatë kontrollit u sekuestruan materiale me rëndësi për hetimin.

Sipas burimeve, grupi është zbuluar falë monitorimit të vazhdueshëm të “dark web”-it dhe burimeve të hapura në internet.

Hetimet vijojnë, pasi dyshohet se në këtë skemë janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku dy kinezës qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë