Nga Gazeta Si- Inteligjenca Artificiale, shkurt IA, është teknologjia që përpiqet të arrijë që kompjuterët dhe makineritë të kryejnë detyra ashtu si njerëzit.
Mirëpo pavarësisht se sa e nevojshme mund të jetë ajo, mjekët shqiptarë kanë një apel për të gjithë qytetarët që konsultohen me të për ndonjë shqetësim apo sëmundje që mund të kenë.
Mjekët bëjnë apel që të kenë kujdes, pasi IA nuk zëvendëson mjekun, por është një mjet që ndihmon në informim, jo për diagnozë apo trajtim. Gjithashtu, mjekët thonë se dhe mënyra se si bëhet pyetja ka shumë rëndësi, pasi dikton dhe përgjigjen që personi do të marrë.
“Kohët e fundit ka një rritje të përdorimit Inteligjencës Artificiale për qëllime mjekësore. Duhet të kemi parasysh se përdorimi i saj nga ana e pacientëve për këshilla, diagnoza mjekësore shoqërohet me rrisqet që ka. Përdoreni, por kini kujdes, mos ngecni vetëm tek ai informacion që morët. Është e nevojshme gjithmonë këshilla dhe mbështetja me një mjek”, thotë doktor Alban Ylli nga ISHP.

Ai shton se mënyra se si e formulon pyetjen e orienton IA drejt përgjigjeve të caktuara dhe ky është një element shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për një produkt që është në përsosje e sipër.
Ylli thotë se informacionet rreth personit janë shumë të rëndësishme për diagnozën, ku si shembull merr moshën e pacientit.
“Është gjithmonë e nevojshme që të kemi besim tek mjeku. Profesionalizmi, empatia dhe përvoja e mjekut janë ende të pazëvendësueshme nga inteligjenca aritficiale”, tha Ylli.
Dr.Daniela Teferiçi, kardiologe në QSUT thotë se IA nuk mund të zëvendësojë kurrë doktorin.
“Është doktori ai që trajton pacientin në mënyrë specifike. IA nuk mund të diagnostikojë një infarkt miokardi që është një problem madhor dhe mund të shprehet se është një pneumoni apo dhimbje stomaku e kështu personi rri në shtëpi në pritje që IA t’i gjejë sëmundjen dhe trajtimin”, shprehet mjekja.
Nga ana tjetër, doktoresha Lidra Zikaj nga Poliklinika nr.3 bën apel për prindërit që të drejtohen tek mjeku pediatër për problemet e fëmijëve, jo tek ChatGPT.
“Mos merni barna, terapi dhe trajtime nëpërmjet internetit, konsultohuni te mjeku. Kujdesi personal fillon me një vizitë te mjeku, informohuni por mos rrezikoni shëndetin tuaj”, tha Zikaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



