Gazeta Si – Kryedemokrati Sali Berisha, ka mohuar të ketë dhënë urdhër për vrasjen e protestuesve në 21 janar 2011, ku humbën jetën 4 persona para kryeministrisë.
Nga SPAK-u, ku zbatoi masën “detyrim paraqtje” për aferën “Partizani”, Berisha tha se ai vetë ka interesin më të madh që dosja të zbardhet plotësisht, ndërsa pretendoi se ai nuk kishte dhënë asnjë urdhër për të qëlluar drejt demostruesve.
“Nuk ka asnjë diskutim që hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Berishës dhe PD, sepse ishte e qartë. Ishte demonstrata më e dhimbshme në historinë e vendit me agjendë politike për përmbysjen e pushtetitt. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër nga askush dhe nuk do e gjejnë dot kurrë, sepse nuk ka pasur urdhër. Garda ka vepruar vetëm në kuadër të ligjit të miratuar nga mazhoranca socialiste para ardhjes sonë në pushtet”- tha Berisha.
Sipas Berishës, njeriu i vetëm që ka penguar hetimet për “21 Janarin” është Edi Rama. Ish-kryeministri tha se ish-kryeprokurorja e kohës, Ina Rama, refuzoi prokurorin ndërkombëtar të ardhur nga SHBA për hetimet.
“Tani, do të sqaroj shqiptarët se nga viti 2013 gjer në vitin 2025, njeriu që ka penguar çdo hetim të asaj dosje ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Shqiptarët e dinë mirë, se unë nuk kam pasur, përkundrazi një armiqësi të hapur me Ina Ramën, e cila në qoftë se ky është sivëlla me Troplinin, Ina është simotër e Troplinëve. Mësoje nga unë këtë. Përveç të tjerash. Por Ina Rama, e cila refuzoi prokurorin ndërkombëtar që unë kërkova, se erdhi prokurori ndërkombëtar, se nuk është e vërtetë që nuk erdhi, ka ardhur prokuror amerikan, nuk hetonte dot sepse i dilte Edi Rama. Dhe kërkesa zyrtare e qeverisë amerikane është kjo: të hetohet nga polici i thjeshtë tek organizatori kryesor. Kjo kërkesë ka ardhur këtu nga Thomas Countryman që erdhi i posaçëm për këtë krizë”.
I pyetur nëse do të paraqitet në SPAK nëse thirret për 21 janarin, Berisha shprehu gatishmërinë e plotë.
“Në çdo fletëthirrje, unë e kam detyrim paraqiten, sepse kam konceptet e mia për shtetin. Nuk mund të bëhet kjo pyetje, jam i hapur. Unë ua faktova juve, këta ndërtuan një piramidë mashtrimi për dosjen ‘Partizani’, ku thuhet se toka ishte publike, ndërkohë që fletoret zyrtare provonin se toka ishte private dhe nuk ishte e shpronësuar, por e konfiskuar nga regjimi komunist”- shtoi ai më tej.
Ndërkohë, në 30 tetor, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku dëshmoi për 1 orë e 20 minuta për dosjen e “21 Janarit”, pasi në vitin 2011 ka qenë ministër i Brendshëm.
Më 12 mars 2024, pas kërkesës së familjarëve të viktimave, Gjykata e Lartë vendosi që dosja e “21 janarit” t’i kalonte SPAK-ut.
Për Gjykatën e Lartë, SPAK është institucioni që duhet të japë përgjigje nëse ka vend për hetime ndaj të kallëzuarve, ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-drejtuesve të lartë të Gardës.
Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës që u zhvillua përpara kryeministrisë, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



