Ekonomi

Kuvendi i kërkon Bankës të ndërhyjë me kujdes, ose fare, në kursin e këmbimit: Ndiqni politikën fiskale…

Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë të jetë më e kujdesshme në ndërhyrjet në tregun valutor, deri në kufizim. Kjo qasje sipas ligjvënësve, do të forcojë kursin e këmbimit si mekanizëm vetërregullues i ekonomisë.

Një vit më parë, guvernatori i Bankës, Gent Sejko, gjatë raportimit në Kuvend, i kërkoi qeverisë ndihmë për të përballuar luhatjet e forta të euros. Kërkesa nuk mori asnjë përgjigje konkrete nga qeveria, përveç disa takimeve burokratike midis përfaqësuesve. Qeveria dhe devijacionet në shpenzimet mujore vlerësohen si faktorë me peshë në zhvlerësimin e euros përballë lekut.

Ndër të tjera, Kuvendi i kërkon Bankës që të forcojë mbikëqyrjen për sa i takon ekspozimit të sistemit bankar ndaj kredimarrësve të mëdhenj si dhe të shtojë vigjilencën ndaj kredive që financojnë ndërtimin apo projektet real estate.

Po ashtu bën thirrje që banka qendrore të forcojë mbikëqyrjen ndaj institucioneve financiare jobanka si dhe të shtojë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi aktivitetin e zyrave të këmbimit valutor. Të integrojë rreziqet klimatike dhe ato të tranzicionit në kuadrin mbikëqyrës.

Kuvendi kërkon që politika monetare e Bankës të ndjekë atë fiskale të qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë