Nga Gazeta Si – Një derbi londinez që rrallëherë mungon të argëtojë deri në fund, Tottenham Hotspur pret Chelsea-n të shtunën, në njërën nga ndeshjet më interesante të fundjavës në Premier League.
Rivalët e ashpër hyjnë në javën e 10-të me rezultate të kundërta nga “EFL Cup”: “Spurs” u eliminuan nga Newcastle United, ndërsa “Blues” fituan në një spektakël me 7 gola ndaj Wolverhampton Wanderers.
Një mundësi për trofe tashmë ka ikur për Thomas Frank, pasi skuadra e tij nuk arriti të përballojë fuqinë ajrore të Newcastle në “St. James’ Park” të mërkurën.
Dy gola me kokë nga Fabian Schar dhe Nick Woltemade mjaftuan që Magpies të eleminonin “Spurs” nga raundi i katërt i “EFL Cup”, një “zgjim i ashpër” për vendasit pas fitores mbresëlënëse në kampionat disa ditë më parë.
Në Premier League, Tottenham u bë skuadra e parë që mposhti Everton-in në stadiumin e ri “Hill Dickinson”, ku Micky van de Ven shkëlqeu me një dygolësh fantastik, ndërsa Pape Sarr vulosi fitoren përfundimtare.

Megjithatë, një fitore në pesë ndeshjet e fundit nuk tregon një tablo të bukur për “Spurs”, por tabela e klasifikimit po – vetëm Arsenali dhe Bournemouth kanë më shumë pikë.
Tottenham ndodhet në vendin e tretë, 5 pikë pas rivalëve ndërqytetas të Arsenal.
E megjithatë, forma e dobët në shtëpi mbetet shqetësim: Tottenham ka marrë vetëm një pikë në tre ndeshjet e fundit në stadiumin e saj, ku vetëm Burnley është mundur këtë sezon në Premier League.
Një statistikë e tillë nuk premton shumë përballë një Chelsea që po feston fitoren e 3 radhazi jashtë fushe, edhe pse e arritur me shumë mund. Wolves, të fundit në renditje, ishin pranë një përmbysjeje në “EFL Cup”, por përfunduan me humbje 4–3 ndaj një Chelsea të rinjsh plot energji.
Pavarësisht një tjetër kartoni të kuq (këtë herë për Liam Delap), londinezët e rinj të Chelsea-t shkruan histori, pasi për herë të parë një skuadër e Premier League shënoi me katër lojtarë të ndryshëm nën 21 vjeç në të njëjtën ndeshje.

Megjithatë, kjo nuk i shpëtoi nga humbja befasuese 2–1 ndaj Sunderland në kampionat – disfata e tretë në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, që i la në vendin e nëntë.
Për më tepër, vetëm dy herë më parë Chelsea ka humbur katër nga dhjetë ndeshjet e para të sezonit në Premier League.
Megjithatë, stadiumi i Tottenham Hotspur mbetet një terren i dashur për Chelsea-n.
Fitorja e paharrueshme 4–3 sezonin e kaluar ishte e pesta në Premier League në këtë stadium, një rekord që asnjë skuadër tjetër vizitore nuk e ka arritur.
– Tottenham Hotspur: Vicario; Porro, Danso, Van de Ven, Spence; Bentancur, Palhinha; Kudus, Bergvall, Simons; Kolo Muani
– Chelsea: Sanchez; James, Fofana, Chalobah, Cucurella; Fernandez, Caicedo; Neto, Santos, Garnacho; Pedro
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



