Përfundon seanca/ Veliaj: U rrëmbeva pa akuzë! U shkel Kushtetuta! Qeveria: Lini në fuqi zgjedhjet në Tiranë
10:53 - 31 Tetor 2025
Nga Gazeta ‘Si’- Pas një seancë maratonë përreth 7 orë për shqyrtimin e kërkesës së Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për vendim.
Erion Veliaj sapo ka lënë ambientet e Gjykatës Kushtetuese dhe në shoqërimin e Policisë së Burgjeve, u nis përsëri drejt qendrës së paraburgimit në Durrës.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se data dhe ora për shpalljen e vendimit do të njoftohet në vijim.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm ishte kryebashkiaku Veliaj, shfaqja e parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt.
Kryebashkiaku Veliaj mbrohej nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi. Ndërsa Presidenca u përfaqësua nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme ishte edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.
Seanca nisi me një kërkesë paraprake nga Presidenca që kërkoi dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Por, kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja.
Mandej, Mbrojtja e Veliajt paraqiti argumentet kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe dekretit të presidentit për zgjedhjet në Tiranë.
Mbrojtja tha se veprimet e ndërmarra nga Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk veproi mbi bazat ligjore por ndërmori veprime të motivuara politikisht.
Mbrojtja përmendi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
Po ashtu, mbrojtja përmendi gjithashtu kërkesën e këshilltarit Endri Shabani drejtuar këshillit Bashkiak për shkarkimin vetëm pak ditë pas arrestimit të Veliajt në muajin shkurt. Po ashtu edhe kërkesën pas tre muajsh mosparaqitjeje në detyrë të veliajt, të bërë nga këshilltarët e PD-së në Bashki.
Këto kërkesa, tha mbrojtja, nuk u morën parasysh, por në ditën kur u votua propozimi i këshilltarëve socialistë, u votuan edhe këto dy kërkesa të mëparshme.
Ndërsa Veliaj, në fjalën e tij tha se argumenti i përdorur nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e tij nga detyra, ishte fyerja më e madhe që i është bërë ndonjëherë publikisht, sidomos nga fakti që erdhi nga bashkëpunëtorët e tij.
Ai tha se mosprezenca e tij në krye të Bashkisë së Tiranës nuk ka qenë zgjedhje, por izolim i imponuar nga shteti.
“Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij, e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qen zgjedhje, unë nuk zgjodha të rrëmbehem në Durrës në një burg në kënetë, por përmes një izolimi të imponuar nga shteti”, tha Veliaj.
Ai tha se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Këshilli Bashkiak për propozimin për shkarkimin e tij nga detyra, por është informuar nga sekretari i këshillit që nuk është anëtar.
Veliaj ironizoi lëvizjet e ndërmarra teksa tha se brenda 8 orësh u morën 8 vendime nga propozimi i Këshillit Bashkiak, kalimi te Prefektura më pas kalimi në Këshillin e Ministrave, ku edhe u vendos për shkarkimin e tij, e deri te dekreti i presidentit për zgjedhjet.
‘Po sikur t’ja bëjnë Ogertës, Florit ose Arlind Qorit?’
Ish kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se në rastin e tij nuk po ndiqet i njëjti standard si me raste të tjera, duke sjellë si analogji kryetarin e bashkisë së Tropojës.
Në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj tha se beteja që ai po bën është për të gjithë pasardhësit e tij.
“Doja tju përmendja një rast në Shqipëri, kryetari i bashkisë së Tropojës ka qenë 11 muaj në arrest shtëpie. Në një masë të përkohshëm. Tani lind pyetje, a janë të gjithë të barabartë? Pse është ndryshe një qytetar i Tiranës me një qytetar të Tropojës. Pse toleranca në Tropojë është 11 muaj, kurse në Tiranë është 2, javë, tre muaj dhe 7 muaj. Këtu kemi një disbalancë totale.
Dy gabime nuk prodhojnë më shumë drejtësi dhe për të gjithë ata që kanë argumentin për të qytetarët, patjetër. Por së pari kam unë një betim dhe kontratë me qytetarët që duhet ta mbroj. Edhe për ata që po kandidojnë. Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit, apo Arlindit, një masë sigurie. Pra kaosi që kemi tani nuk është asgjë me kaosin nëse kjo do kthehet një standard me kryetarët e bashkive. Kështu që kjo është një betejë edhe për ata që do vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Qeveria mbrojti qëndrimin se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i shkarkimit është marrë mbi bazën e ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe jo të Kushtetutës, duke e bërë kështu Gjykatën Administrative organin kompetent për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Veliaj la qelinë e rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. Pasi zbriti nga furgoni i Policisë së Burgjeve, i shoqëruar me policë, Veliaj dha edhe një buzëqeshje të lehtë.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste.
Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.