Rend dhe Ligj

‘Jam Ilir Proda, eja në komisariat’, policia apel qytetarëve: Mos u mashtroni nga email-et!

Gazeta Si – Policia e Shtetit njofton se ka identifikuar disa raste mashtrimi të qytetarëve, të cilëve u janë dërguar emaile të rreme me kredincialet e drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda, duke u kërkuar që të paraqiteshin në polici brenda 24 orëve.

Sipas policisë, me këtë adresë, qytetarëve u janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve.

Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se email-et nuk kanë asnjë lidhje me policinë dhe se qëllimi i tyre është përhapja e frikës tek qytetarët.

“Me këtë adresë, qytetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, dhe iu kërkohet të paraqiten brenda 24 orëve në polici”,  njoftojnë policia.

Institucioni thekson se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit. “Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet e-mailit. Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici pa një thirrje zyrtare, të firmosur dhe të protokolluar”, thuhet në njoftim.

Policia bën thirrje që qytetarët të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile të tilla, ndërsa Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre veprimeve me natyrë mashtruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë