Para

Studimi/ Euro informale në Shqipëri zë deri 25% të tregut

Nga Gazeta ‘SI’ – Një studim i fundit i qendrës kërkimore ALTAX gjeti se paraja informale është arsyeja kyçe e zhvlerësimit të euros në Shqipëri dhe jo flukset zyrtare.  

Sipas të dhënave, euro informale në Shqipëri zë deri 25% të tregut total, nivel i lartë që paralizon efektivitetin e politikavëe zyrtare dhe e bën të vështirë parashikimin real të lëvizjeve valutore.

Kjo, thotë studimi, është arsyeja kryesore pse ndërhyrjet nga Banka e Shqipërisë nuk janë tërësisht efektive, duke shpjeguar se tregu momentalisht po përjeton një “mbingopje valutore”.

“Ekonomia informale, që vlerësohet të përbëjë 30–35% të PBB-së, gjeneron një qarkullim prej 6 deri në 7 miliardë euro në vit, me një pjesë të madhe të këtij fluksi në valutë të huaj. Ky volum i madh parash jashtë kontrollit monetar ushtron presion të fortë mbi kursin e këmbimit, duke krijuar një tepricë të ofertës së euros në treg, pavarësisht përpjekjeve të politikës monetare për ta stabilizuar.”

Studimi vlerëson ndërhyrjet nga BSH duke thënë se pa to kursi i këmbimit euro-lek do të ishte rrënuar dhe do të kishte shkaktuar dëme të thella në ekonomi.

Po ashtu, ALTAX hedh poshtë narrativën e forcimit të lekut si antitezë për zhvlerësimin e euros, përdorur kryesisht nga qeveria. Forcimi i lekut, sipas studimit, është thjeshtë nominal, për shkak të ofertës së lartë të valutës në disa sektorë, por jo përshkak të rritjes së besimit në lekë, që do të përkthehej në rritje të produktivitetit, bilanc tregtar pozitiv dhe investime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë