Politike

PD kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për fondet e IPARD II

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike i është drejtuar Kuvendit me një shkresë ku kërkohet ngritja e një komisioni hetimor për Kontrollin e Ligjshmërisë në Administrimin e Fondeve të Programit IPARD II.

Kjo kërkesë vjen nga PD, pasi kreu i SPAK, Altin Dumani pranoi se çështja aktualisht është nën hetim së bashku me homologë evropianë.

Shkresa e depozituar në Kuvend është firmosur nga 45 deputetë të opozitës.

PD argumenton se kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, i përmbush tri kriteret kushtetuese.

“Çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat ai është i autorizuar të marrë masa ligjore; objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencën e problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe zyrtarëve shqiptar në administrimin e fondeve të programit IPARD II”, theksohet në shkresë.

Opozita shprehet se nga investigimet e kryera ka rezultuar se funksionarë publik, familjarë dhe lidhje shoqërore të tyre apo edhe eksponentë të krimit të organizuar kanë përfituar qindra mijëra euro nga fondet e programit IPARD II, duke përforcuar kështu gjetjet dhe konkluzionet e zyrtarëve evropianë.

Gjithashtu theksohet se nga hetimet e zyrtarëve evropianë të OLAF rezultuan shkelje shumë serioze gjatë fazës së dhënies së granteve, si edhe gjatë zbatimit të projekteve.

Në shkresë përmendet edhe fakti që kreu i SPAK, gatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, “pranoi se aktualisht çështja është nën hetim, në bashkëpunim me prokurorët evropianë”.

PD ka kërkuar që Komisioni të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të PD dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të PS.

Gjithashtu kërkohet që Komisioni të ushtrojë veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë