Trashëgimi

Digjitalizohet fototeka e Muzeut Historik Kombëtar

Nga Gazeta “SI”- Në 44-vjetorin e themelimit të Muzeut Historik Kombëtar (MHK), puna për digjitalizimin e fototekës së tij po vijon me ritme të larta në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Kjo fototekë, një pasuri e rrallë me rreth 12 mijë negativë fotografikë, për dekada ka qëndruar larg vëmendjes publike  derisa drejtuesit e rinj të këtyre dy institucioneve njoftuan nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm për ruajtjen dhe modernizimin e saj.

Drejtoresha e MHK-së, Elenita Roshi, tha për mediat  se procesi i digjitalizimit është pjesë e fazës së re të rindërtimit fizik dhe konceptual të muzeut. Ajo theksoi se bashkëpunimi me AQSHF-në nisi me pasionin e përbashkët të dy drejtuesve të rinj që vijnë nga shoqëria civile, dhe që për herë të parë mbajnë poste drejtuese në institucione publike.

“Të jesh në krye të një institucioni të tillë është një sfidë e përditshme që kërkon vendimmarrje me integritet, përgjegjësi dhe mendim krijues”, u shpreh Roshi.

Ajo shtoi se puna kërkon një ekip bashkëpunëtorësh që ndajnë të njëjtin vizion për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare.

Nga ana tjetër, drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini, theksoi se projekti i digjitalizimit do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj dhe do të kthejë fototekën në një pasuri digjitale sipas standardeve më bashkëkohore.

“Në çdo metër filmi ruhet një histori. Jo thjesht për të parë si ishim, por për të kuptuar pse jemi kështu. Pa kujtesë nuk ka vetëdije, pa kujtesë nuk ka vazhdimësi. Dhe pa film, nuk ka dëshmi,” u shpreh Tanini, duke e cilësuar Arkivin e Filmit si “zemrën që mban gjallë rrëfimin shqiptar”.

Ai apeloi që edhe institucionet e tjera kulturore të tregojnë të njëjtin kujdes dhe dashuri ndaj dritës që mbart çdo kornizë filmike.

Fototeka e MHK-së nisi të krijohej që me themelimin e muzeut më 28 tetor 1981. Fillimisht, grupet e punës mblidhnin materiale fotografike nga arkiva e biblioteka në të gjithë vendin, ndërsa pas hapjes së muzeut u dokumentuan pavijonet dhe objektet ekspozuese.

Një kontribut të veçantë ka dhënë fotografi i parë i muzeut, Refik Veseli, i cili ka realizuar fotografi të qyteteve e vendeve historike të ndryshme. Punët e tij ruhen sot në fototekën me negativa të muzeut, të cilat janë mirëkonservuara dhe të padëmtuara.

Fototeka përbëhet kryesisht nga filma bardhezi në formate të ndryshme, si dhe nga një numër më i vogël diapozitivësh. Ajo është e organizuar sipas pavijoneve muzeore nga Antikiteti e Mesjeta, te Rilindja, Pavarësia, Lufta Antifashiste dhe periudha e Socializmit si dhe përmban një arkiv të veçantë për figura historike dhe aktivitete muzeore ndër vite.

Deri më tani janë digjitalizuar mbi 760 fotografi, ndërsa mbi 11 mijë negativë të tjerë presin të transformohen në format digjital. Pas përfundimit të procesit, fototeka do të jetë pjesë e konceptit të ri të muzeut dhe do të bëhet e aksesueshme për publikun, gjithmonë duke respektuar të drejtat e autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë