Treg

Në një vit në Shqipëri qarkulluan 2 mld$ kriptomonedha. Transaksionet ranë me 40%

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një vit, në Shqipëri janë kryer rreth 2 mld dollarë transferta me kriptovaluta.

Raporti i fundit i Chainalysis tregon se transaksionet e kriptove në vendin tonë janë ulur me rreth 40% në periudhën 2024-2025. Në periudhën 2023-2024, kjo vlerë ishte 3 mld dollarë për Shqipërinë, ndërsa për vitin 2021-2022, 1.5 mld dollarë. Në raportin 2022-2023, Shqipëria nuk përfshihej.

Vendet e rajonit raportojnë qarkullim më të lartë të kriptomonedhave, me Serbinë që shkon deri në rreth 7 mld dollarë.

Chainalysis llogarit se Rusia është “mbreti” i kriptomonedhave në Europë, me një volum transaksionesh prej 376.3 mld dollarë në një vit. vendin e dytë e mban Mbretëria e Bashkuar, me diferencë të thellë nga Rusia, 273.2 mld dollarë.

Për herë të parë Europa ia ka kaluar edhe SHBA-së në terma absolutë. Në një vit Europa ka qarkulluar 2.6 triliardë dollarë kripto, ndërsa Amerika, 2.2 triliardë. Raporti thotë se Europa ka konsoliduar bazën e përdorimit të kriptove, duke prekur edhe institucionet, proces ku SHBA është ende në hapat e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë