Futboll

Zikaltërit në provën e kampionëve në ‘Maradona’

Nga Gazeta Si – Lajmi i kësaj fundjave në Serie A do të jetë përplasja mes dy skuadrave më të mira të sezonit të kaluar kur Napoli (kampione në fuqi) do të presë Interin e Milanos në “Stadio Maradona” në mbrëmje.

Të dy ekipet kanë nga 15 pikë, por patën fat shumë të ndryshëm në Evropë gjatë mesjavës.

Që nga rikthimi pas ndërprejes së fundit për kombëtaret, Napoli i dëmtuar nga mungesat ka humbur edhe fatin e mirë që e kishte ndjekur në arritjen disa fitoreve jo bindëse.

Pas humbjes 1-0 ndaj Torinos fundjavën e kaluar, kampionët e Italisë u përballën me homologët holandezë në Ligën e Kampioneve, PSV Eindhoven të martën.

Megjithëse kaluan në epërsi me talismanin Scott McTominay, “azzurrët” pësuan 4 gola në pjesën e dytë dhe u mposhtën 6-2.

Ky dështim goditi trajnerin Antonio Conte, i cili kishte parë skuadrën e tij të humbiste 2 nga 3 ndeshjet e fundit të “Serie A” – po aq sa kishte humbur në 31 ndeshjet pararendëse.

Megjithatë, teksa përgatitet të presë ish-klubin e tij – skuadra e Conte-s ka ende një rekord të lavdërueshëm për të mbrojtur në shtëpi.

Që nga Dhjetori i kaluar dhe duke shënuar në çdo ndeshje – me 12 fitore gjatë kësaj periudhe – Napoli është i pamposhtur në 15 ndeshje rradhazi në shtëpi në “Serie A”.

Vendasit ndërkohë fituan 3 ndeshjet e para në “Maradona” këtë sezon. Gjatë viteve të fundit, Napoli dhe Inter kanë qenë shumë pranë njëri-tjetrit në nivel, duke barazuar 1-1 në 3 përballjet e fundit.

Dy ekipet mund të përballen sërish kokë më kokë për titullin këtë sezon, por më parë skuadra e Conte-s duhet të ndalojë rënien e lirë.

Në kontrast me vendasit që po luhaten në formë, Inter do të zbresë në jug drejt Kampanjas në formë të shkëlqyer, pasi ka regjistruar 7 fitore radhazi në të gjitha kompeticionet.

Që nga humbja me Juventus-in në Shtator, “nerazzurrët” kanë qenë të pagabueshëm në “Serie A” – dhe e përforcuan këtë formë në Ligën e Kampioneve duke mposhtur kampionët e Belgjikës.

Inter fitoi bindshëm 4-0 në transfertë kundër Union Saint-Gilloise të martën mbrëma, me 2 gola para pushimit që vulosën ndeshjen.

Ndërsa Napoli po ngec në renditjen e madhe të fazës së Ligës, klubi milanez ka marrë pikët maksimale deri tani dhe nuk ka pësuar asnjë gol në një kompeticion që mund ta fitonte dy herë gjatë viteve të fundit.

Inter ka shënuar 18 gola në 7 ndeshje të Serie A, me 9 lojtarë të ndryshëm që kanë gjetur rrugën e rrjetës.

Për më tepër, “nerazzurrët” kanë ruajtur katër herë portën e paprekur në 5 ndeshjet e fundit në transfertë në kampionat – përjashtim bën humbja dramatike 4-3 ndaj Juventus-it në “Derby d’Italia”.

Napoli: Milinkovic-Savic; Di Lorenzo, Beukema, Buongiorno, Spinazzola; Gilmour; Politano, Anguissa, De Bruyne, McTominay; Lucca

Inter: Sommer; Akanji, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Bonny, Martinez


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë