Nga Gazeta “SI”- Një çmim i ri letrar për fëmijë, i quajtur “Children’s Booker Prize”, do të nisë në vitin 2026 dhe do të ndahet për herë të parë në 2027.
Ai do të vlerësojë librat më të mirë bashkëkohorë për fëmijë të moshës 8 deri në 12 vjeç, dhe synon të frymëzojë më shumë të rinj të lexojnë.
Frank Cottrell-Boyce, fitues i titullit UK Children’s Laureate dhe autor i librit të njohur Millions, do të jetë kryetari i parë i jurisë. Ai do të bashkëpunojë me dy gjyqtarë të tjerë të rritur për të përzgjedhur tetë libra finaliste, pas së cilës tre fëmijë do të ndihmojnë në zgjedhjen e librit fitues.
Sipas Gaby Wood, drejtoreshës së Booker Prize Foundation, ky është projekti më ambicioz që fondacioni ka ndërmarrë në 20 vitet e fundit , me synimin që ndikimi i tij të zgjasë për dekada.
Të paktën 30,000 kopje të librave të përzgjedhur dhe fitues do t’u dhurohen fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
Çmimi do të jetë ndërkombëtar, i hapur për autorë nga e gjithë bota që shkruajnë në anglisht ose për libra të përkthyer në anglisht, për sa kohë që janë botuar në Angli ose Irlandë midis 1 nëntorit 2025 dhe 31 tetorit 2026.

Ashtu si në çmimin kryesor Booker Prize, autorët e listës së shkurtër do të marrin 2,500 paund secili, ndërsa fituesi do të marrë 50,000 paund.
Shpallja e tetë librave finalistë dhe tre gjyqtarëve fëmijë do të bëhet në nëntor 2026, dhe fituesi do të publikohet në shkurt 2027, në një ngjarje të veçantë për lexuesit e rinj.
Shkrimtarët e njohur për fëmijë, si Dame Jacqueline Wilson dhe Anne Fine, e kanë përshëndetur këtë nismë, duke e quajtur “një ide të mrekullueshme” dhe “një mundësi për të dhënë më shumë vëmendje letërsisë për fëmijë”, e cila shpesh është lënë në hije nga letërsia për të rritur.
Krijimi i këtij çmimi përkon me një periudhë kur leximi për kënaqësi tek fëmijët është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit, sipas National Literacy Trust, e cila ka shpallur vitin 2026 si “Vitin Kombëtar të Leximit” për të nxitur dashurinë për librin tek brezat e rinj.
Burimi: BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



