Ne rrjet

Një rrjet i dyshuar spiunazhi hungarez brenda Komisionit Europian?

Agjentët e fshehtë hungarezë dyshohet se u përpoqën të monitoronin të gjitha aktivitetet e tij për vite me radhë, në një moment pothuajse "në mes të ditës"

Gazeta Si – Për disa javë, disa eurodeputetë dhe aktivistë kanë kërkuar shpjegime nga Komisioni Evropian në lidhje me një rast të madh të spiunazhit të dyshuar të kryer nga Hungaria.

Sipas një hetimi të përbashkët gazetaresk të kryer bashkërisht nga disa gazeta europiane, midis viteve 2012 dhe 2018, një grup agjentësh sekretë hungarezë u përpoqën të rekrutonin zyrtarë të Bashkimit Europian, veçanërisht ata që punonin për Komisionin, si spiunë.

Sipas hetimit, agjentët punuan në mënyrë të fshehtë në zyrën e Olivér Várhelyi-t, i cili atëherë ishte ambasadori i Hungarisë në Bashkimin Europian.

Várhelyi më vonë u bë Komisioner për Zgjerimin gjatë mandatit të parë të Presidentes Ursula von der Leyen (2019-2024) dhe aktualisht është Komisioner për Shëndetësinë.

Ai njihet për afërsinë e tij me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili ka drejtuar me një qeveri gjithnjë e më autoritare që nga viti 2010.

Pasi u publikuan hetimet, von der Leyen tha se Komisioni do të hapte një hetim, por nuk do ta pezullonte Várhelyi-n. Ai mohon çdo dijeni për këtë rrjet të dyshuar spiunazhi.

Sipas hetimit, rrjeti përbëhej nga agjentë të agjencisë hungareze të inteligjencës së jashtme, “Információs Hivatal”.

Viktor Orbán dëgjon Ursula von der Leyen gjatë një seance plenare të Parlamentit Evropian në tetor 2024

Detyra e tyre ishte të mblidhnin informacion dhe të siguroheshin që Orbán të merrte njoftim paraprak për çdo masë që po zhvillohej brenda Bashkimit Evropian që mund ta dëmtonte atë.

Në ato vite, Komisioni Evropian dhe Orbán kishin filluar të përplaseshin për çështje të tilla, si përkeqësimi i lirisë së shtypit dhe sundimi i ligjit në Hungari, çështje që mbeten qendrore në marrëdhëniet e tyre sot.

Për shkak të autoritarizmit të Orbán, Hungaria i është nënshtruar disa procedurave të shkeljes dhe disa fonde evropiane të destinuara për vendin janë pezulluar.

“Çdo qytetar hungarez që punonte në Komision dhe që kishte vlerë të mundshme inteligjence, konsiderohej si objektiv rekrutimi dhe profilizohej”, tha një burim anonim me njohuri për operacionet e agjencisë hungareze të inteligjencës për faqen e internetit të gazetarisë investigative hungareze, “Direkt36” (partner në hetim).

Kjo do të thoshte që qytetarët hungarezë të punësuar në Komision u shqyrtuan dhe ata që dukeshin më të përshtatshëm u përzgjodhën për t’u kontaktuar nga agjentë të fshehtë në Bruksel.

Pas një periudhe prove, agjentët u ofruan zyrtarëve anëtarësim formal në agjenci si agjentë të fshehtë dhe që nga ajo kohë, takimet me ata që pranuan të rekrutoheshin zhvilloheshin në Hungari.

Gazetarët që punonin në hetim, folën me disa individë anonimë, të cilët thanë se ishin kontaktuar nga agjentë të inteligjencës hungareze.

Kryeministri hungarez, Victor Orban

Ata thanë se u kishin dhënë agjentëve informacione rreth aktiviteteve të Komisionit, por refuzuan të rekrutoheshin zyrtarisht nga shërbimet sekrete dhe më pas i kishin ndërprerë marrëdhëniet me këta individë.

Ata thanë se agjentët u përpoqën t’i bindnin duke u ofruar para ose mundësi për avancim në karrierë, ose duke u thirrur në një ndjenjë patriotizmi.

Operacionet e rrjetit, thuhet se u ndërprenë në vitin 2018 për shkak të sjelljes së papërshtatshme të agjentit të inteligjencës që drejtonte misionin, i identifikuar në hetim, si “V”.

Sipas disa burimeve të informuara për gazetat, gjatë vitit të kaluar, kërkesat nga qeveria hungareze ishin rritur ndjeshëm, si dhe presioni për të arritur rezultate brenda një afati shumë të shkurtër kohor.

Për këtë arsye, “V” dyshohet se i urdhëroi agjentët e tij të zgjeronin rrjetin e tyre më shpejt dhe filluan të shkelnin protokolle të ndryshme sigurie: për shembull, ai filloi të përdorte kanale komunikimi të pakriptuara dhe të rekrutonte njerëz pothuajse “në publik”.

Kjo tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të inteligjencës së Bashkimit Evropian dhe rezultoi në çmontimin e operacionit.

Sipas disa zyrtarëve anonimë evropianë, me të cilët foli “Politico”, ekzistenca e një rrjeti agjentësh sekretë hungarezë brenda institucioneve evropiane ishte një lloj “sekret i hapur” në Bruksel.

Ursula von der Leyen në fund të një konference mbi të ardhmen e Hungarisë në Bashkimin Evropian në Budapest, 8 nëntor 2024

Ata gjithashtu pretenduan se disa individë që ishin kontaktuar nga agjentët, më pas e ngritën çështjen me Komisionin Evropian, por nuk u ndërmor asnjë veprim. Komisioni iu përgjigj këtyre thashethemeve duke thënë se do të hetonte.

Nëse do të gjendeshin prova për përfshirjen e Várhelyi-t në operacion, Bashkimi Europian do të kishte disa mënyra për ta shkarkuar atë, por asnjë nuk është e menjëhershme.

Kjo fuqi i është dhënë Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, e cila mund të vendosë të shkarkojë një komisioner që “nuk i plotëson më kushtet e kërkuara për kryerjen e detyrave të tij ose ka kryer një shkelje të rëndë të detyrës”.

Megjithatë, procedura mund të iniciohet vetëm me kërkesë të Komisionit Europian ose Këshillit të Bashkimit Europian, i cili përfaqëson qeveritë e 27 shteteve anëtare.

Një metodë e dytë, është që presidentja e Komisionit Europian, në këtë rast von der Leyen, të kërkojë shkarkimin e tij, megjithëse aktualisht e ka përjashtuar këtë mundësi.

Disa persona që folën me faqen “Politico”, thanë gjithashtu se gjatë negociatave për të formuar Komisionin aktual në shtator 2024, von der Leyen ushtroi presion mbi eurodeputetët që të pranonin emërimin e Várhelyi-t, duke e bërë këtë mundësi edhe më pak të mundshme.

Mundësia e tretë, është që Parlamenti Europian të votojë për një mocion mosbesimi ndaj të gjithë Komisionit Europian, diçka që nuk ka ndodhur kurrë, sepse kërkon një shumicë prej dy të tretash.

Për më tepër, në këtë kohë, mocioni do të kishte nevojë për disa vota nga grupi politik i von der Leyen, Partia Popullore Europiane.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë