Nga Gazeta “SI”- Pas grabitjes së bujshme të xhevahireve të kurorës franceze në Muzeun e Louvre në Paris, ekspertët dhe autoritetet e sigurisë po rishikojnë masat e sigurisë në të gjithë institucionet kulturore. Vjedhja tregoi se edhe metodat më të thjeshta mund të shpërfillin sistemet më të avancuara të mbrojtjes.
Ekspertët e Universitetit Northeastern thonë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për të gjitha institucionet që mbajnë objekte me vlerë.
Nikos Passas, profesor i kriminologjisë dhe drejtësisë penale dhe ko-drejtor i Institutit për Sigurinë dhe Politikën Publike, shprehet:
“Kjo grabitje mund të rishkruajë protokollet e sigurisë në muze. Edhe teknologjitë më të avancuara duhet të testohen ndaj metodave të thjeshta që përdorën hajdutët e Luvrit. ‘Ngjitja, prerja dhe ikja’ është thjesht e mahnitshme.”
Ngjarja e së dielës, në një nga muzetë më të njohur dhe më të vizituar në botë, ka habitur ekspertët për shkak të kohës së shpejtë, vetëm 30 minuta pas hapjes.
Sipas raporteve të lajmeve, grabitja zgjati shtatë minuta. Kjo ngre pyetje mbi cilësinë e trajnimit të sigurisë, teknologjinë dhe gatishmërinë për përballimin e thyerjeve të forcës që duhet të shqyrtojnë të gjithë ata që ekspozojnë objekte me vlerë.

Passas thekson: “Nëse hajdutët mund të mashtrojnë Luvrin, të gjitha institucionet janë të cenueshme. Si mund të ndodhë kjo në mes të Parisit?”
Edhe pse grabitje të këtij niveli ndodhin, natyra e kësaj është befasuese për shkak të vendit ku ndodhi.
“Luvri ishte një pallat, po flasim për një grabitje në Sallën e Mbretërve.”
Ai shton se muzeu është shumë i mbushur dhe siguria mund të mos jetë adekuate.
“Disa objekte janë masive, disa të vogla. Duhej të kishte një nivel sigurie për njerëzit, kamerat, teknologjinë dhe etiketat.” shprehet Passas
Nëse hajdutët kanë pasur ndihmë nga brenda muzeut, kjo mund të ketë qenë thjesht informacion mbi momentin më të mirë për të hyrë në sallë.
Vlera historike e ndërtesës vetë shton sfidën e mbrojtjes së përmbajtjes, thotë Stephanie Hanor, drejtoreshë e Mills Art Museum në kampusin Oakland të Northeastern.
“Ju nuk po ruani vetëm bizhuteritë e kurorës, po gjithashtu dhe ndërtesën. Si e balanconi hapësirën për vizitorët ndërsa mbroni atë?”
Shumë masa sigurie të teknologjisë së lartë, të njohura nga filmat e grabitjeve si “Mission Impossible”, përdoren natën ndërkohë gjatë ditës ato shpesh çaktivizohen për të lejuar qarkullimin e vizitorëve. Megjithatë, etiketat digjitale të vendosura direkt mbi objektet me vlerë mund të ndihmojnë në gjurmimin e objekteve të vjedhura, nëse Luvri i përdorte ato.
Koha e grabitjes ishte befasuese, por gjithashtu e zgjuar. Rojet e sigurisë gjatë grabitjes përqendruan vëmendjen te vizitorët në sallë, dhe jo te ndërhyrja në grabitje.
“Është e habitshme sesi e bënë këtë gjatë ditës me njerëz brenda. Ndoshta , sepse ata e dinin që stafi dhe rojet do të mbronin njerëzit për ato pak minuta që ishin aty.”- thotë Hanor
Nëse bizhuteritë nuk kthehen, Passas thotë se copat mund të ndahen dhe gurët e çmuar dhe metalet e çmuara të shiten veçmas, me vlerë shumë më të ulët se sa si objekte të plota. Ka koleksionistë të tregut të zi që mund t’i blejnë për kënaqësi personale.
“Arti mund të larë pasuri përmes kanaleve të ndryshme. Kjo është një mënyrë për të përdorur pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme dhe për të marrë objekte me vlerë pa dëshmuar pronësinë.”
Një aspekt i interesant i kësaj ngjarjeje do të jetë nëse grabitja ishte e synuar për blerës të caktuar.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se muze të tjerë që ruajnë vlera të çmuara duhet të rishikojnë trajnimin e stafit, përdorimin e teknologjisë dhe protokollet e hyrjes së detyruar.
Kjo grabitje është më e fundit, por jo e para. Në 1990, 13 vepra arti u vodhën nga Isabella Stewart Gardner Museum në Boston, përfshirë dy piktura nga Rembrandt, një pikturë nga Johannes Vermeer dhe një finial Napoleonic. Veprat nuk janë gjetur kurrë.
Burimi: Northeastern Global News
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



