Nga Gazeta “SI”- Nga 15 deri më 26 tetor kryeqyteti italian mirëpret për të njëzetin vit me radhë “Festa e Kinemasë së Romës”, një ngjarje që prej dy dekadash e shndërron Romën në kryqendrën e filmit botëror.
Këtë vit, nën drejtimin artistik të Paola Malanga dhe presidencën e Salvatore Nastasit, festivali konfirmon statusin e tij si një prej platformave më të rëndësishme të kinemasë evropiane , një hapësirë ku arti dhe pjesëmarrja ndërthuren, duke sjellë bashkë autorë, aktorë dhe publikun e gjerë.
Skena kryesore, si çdo vit, është Auditorium Parco della Musica “Ennio Morricone”, që për 11 ditë shndërrohet në qendrën e kinemasë italiane dhe ndërkombëtare.

“La vita va così” hap siparin
Edicioni jubilar u hap me filmin “La vita va così” të regjisorit Riccardo Milani, një komedi e ëmbël dhe ironike që përshkruan jetën e një komuniteti sardo në përpjekje për të ruajtur identitetin dhe territorin e vet përballë ndryshimeve të kohës.
Në rolet kryesore spikasin Virginia Raffaele, Diego Abatantuono, Aldo Baglio, Giuseppe Ignazio Loi dhe Geppi Cucciari. Filmi u prezantua jashtë konkurrimit në seksionin Grand Public, duke theksuar misionin e festivalit për t’u afruar me publikun e gjerë.
Ceremoninë e hapjes dhe atë të mbylljes e prezanton Ema Stokholma, figurë e njohur televizive dhe radiofonike, e cila do të udhëheqë spektaklin me energjinë dhe stilin e saj karakteristik.
Programi i 21 Tetorit nis me një ngjarje që i kushtohet artit të tregimit vizual. Në Sala Petrassi, në orën 16:30, zhvillohet masterklasi “Sogni e disegni” me Brian Selznick, autorin e njohur të romanit “La straordinaria invenzione di Hugo Cabret”, që frymëzoi filmin fitues të Oscar-it të Martin Scorsese.
Në orën 18:30, në Sala Sinopoli, do të shfaqet “Dreams” i Michel Franco (sezioni Best of 2025), me protagoniste Jessica Chastain.
Ndërsa në orën 21:15, në Sala Petrassi, publiku do të mund të ndjekë komedinë “Stella gemella” të Luca Lucini, me Martina Gatti, Matteo Olivetti, dhe dy aktoret ikonike të kinemasë italiane, Margherita Buy dhe Laura Morante.

Në mbyllje të mbrëmjes, në orën 21:30, Chloé Zhao, fituese e Oscar-it për Nomadland, prezanton filmin e saj të ri “Hamnet”, një histori e ndjerë që rikrijon dashurinë mes William Shakespeare dhe Agnes-it, në një lojë poetike midis mitit, natyrës dhe humbjes.
Konkursi ndërkombëtar dhe filmat në garë
Seksioni kryesor i festivalit, Concorso Progressive Cinema , Visioni per il mondo di domani, përfshin 18 filma ndërkombëtarë, nga autorë të rinj dhe të afirmuar, që ofrojnë një pasqyrë të temave bashkëkohore të kinemasë botërore.
Ndër titujt më të spikatur janë:-, 40 Secondi – Vincenzo Alfieri (Itali), L’Accident de Piano – Quentin Dupieux (Francë), Wild Nights, Tamed Beasts – Wang Tong (Kinë) , Good Boy – Jan Komasa (Poloni, Mbretëria e Bashkuar) etj.
Një vend të veçantë në program zë edhe dokumentari “Roberto Rossellini, Più di una vita”, i cili rikthehet te figura e mjeshtrit të madh të neorealizmit italian, për të reflektuar mbi trashëgiminë e tij artistike dhe humane.
Një përvjetor kujtese
Edicioni i 20-të i Festës së Kinemasë së Romës është një rikthim te rrënjët e kinemasë si mjet bashkimi dhe rrëfimi kolektiv.

Në një botë ku imazhi qarkullon me shpejtësi, Roma mbetet për disa ditë vendi ku filmi rifiton kuptimin e tij të parë .
Një nga emrat e kinemasë botërore që nderon këtë edicion të festivalit është Jeniffer Lawrence, e cila prezanton filmin e saj më të ri ” Die my love”
Burimi: Vogue
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



