Një konflikt i ndodhur në lagjen nr. 15, në Spitallë të Durrësit, ka përfunduar me dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë sherrit, njëri prej personave të përfshirë ka pasur me vete një armë zjarri dhe ka goditur njërin nga të tjerët me tytën e saj.
Forcat e policisë, që ndodheshin pranë zonës, kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë situatën nën kontroll dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
“Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 08:30, se në lagjen nr. 15, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Katan Kaçaniku, 37 vjeç, kishte goditur me sende të forta, shtetasit B. Xh., 66 vjeç dhe A. Xh., 61 vjeç (kushërinj), shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit Kaçaniku. 37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale”, tha policia.
Ndërkohë, 2 të dëmtuarit po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



