Gazeta Si – Një 29-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arrestua në Tiranë, pasi dyshohej për një sërë veprimtarish kriminale, mes të cilave tentativë për grabitje me armë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Në kuadër të operacionit “Identikiti”, u lokalizua dhe u arrestua në Tiranë shtetasi F.B. alias F. B., 29 vjeç, i cili më datë 29 gusht 2025 kishte tentuar të grabiste një argjendari në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Sipas policisë, 29-vjeçari u ndalua në zonën e “5 Majit”, në Tiranë, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Audi”, në shoqërinë e dy personave të tjerë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në banesën që ai kishte marrë me qira në Tiranë, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, tre pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë amerikanë fals. Po ashtu, u sekuestruan dy automjete, një celular, dhe një shumë parash në lekë.
Gjykata e Shkodrës, më datë 30 shtator 2025, kishte caktuar për 29-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan gjithashtu shtetasit Xh. D., 21 vjeç, dhe E. E., 19 vjeç, të cilët ndodheshin në automjet me autorin në momentin e kapjes. Ata akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



