Gazeta Si – Mbrëmjen e të hënës ka mbërritur në Rinas, Amar (Dritan) Shkëmbi, i cili u ekstradua nga Dubai pasi autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim si një prej personave të përfshirë në atentatin e mbetur në tentativë ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos (Rrumit të Shijakut) në vitin 2019.
Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi është arrestuar në Dubai në 23 shkurt të vitit 2023. Ai gjithashtu njihet edhe anëtar i grupit të Plaurent Dervishajt. Ndaj Shkëmbit, GJKKO në vitin 2022 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale.
Dritan Shkëmbin akuzohet për përfshirjen e tij në atentatin e organizuar ndaj ish prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja në vitin 2019.
41-vjeçari dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë ka qenë në makinën që ka hapur zjarr ndaj automjetit ku ndodhej ish prokurori Arjan Ndoja që po qarkullonte në mbikalimin e Shkozetit në rrugën ‘Tiranë-Durrës’.
“Policia e Shtetit njofton ekstradimin nga Dubai në Shqipëri të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh., i shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. A. Sh. alias D. Sh. është i akuzuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) për një sërë veprash penale, mes të cilave: Vrasja e funksionarëve publikë, mbetur në tentativë, në dëm të A. N.; Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, me pasojë vdekjen e A. M., dhe tentativë ndaj A. L. (P. M.); Mbajtja dhe prodhimi pa leje i armëve dhe municionit; Sigurimi i mjeteve për kryerjen e vrasjeve në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë; Vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



