Kombetarja

‘Shqiptari’ Sylvinho dhe ‘maqedonasi’ Cake – ‘Ejani ndaj Jordanisë të festojmë fitoren ndaj Serbisë’

Nga Gazeta Si – Tetori kuqezi mbyllet në “Air Albania” në miqësoren përballë Jordanisë që vjen në Tiranë pas suksesit në Leskovcin shqiptar brenda kufirit serb.

Traineri Sylvinho dhe rishtari Cake dolën përpara medias për miqësoren e të martës në mbrëmje. Sylvinho konfirmoi ndjesinë e të qënit shqiptar dhe lumturinë pas fitores ndaj Serbisë.

Tregoi se është përgëzuar mes të tjerëve edhe nga kolegu italian, Roberto Mancini.

Traineri i Shqipërisë, më pas u fokusua tek skuadra e cila po punon shumë për sfidën ndaj Jordanisë, të cilën ai nuk e konsideron miqësore por një mundësi për të përmirësuar në vazhdim.

Gjithçka me mëndjen te ndeshjet e Nëntorit ndaj Andorrës dhe Anglisë që do të na hapin zyrtarisht derën e Play-off’it.

Pavarësisht fitores historike të së shtunës, “shqiptari” Sylvinho tha se lojtarët janë të përkushtuar njësoj si më parë edhe për sfidën e rradhës. Atyre ai ju dërgoi një mesazh nga kjo konferencë – “24 futbollistë – 24 titullarë – 24 lojtarë stoli”.

Më tej tregon se nuk e ka parë situatën e kundërshtarëve me të cilët mund të luajmë në Play-off por vazhdon të mendojë vetëm për ndeshjet e fundit në grup.

Edhe një herë thotë se e ardhmja e tij është diçka që i përket atij dhe se në këtë moment kemi të tjera gjëra më të rëndësishme.

Në fund tifozët, të cilët i fton të mbushin shkallët e “Air Albania-s” për të festuar bashkë me lojtarët suksesin ndaj Serbisë.

Klisman Cake

Bashkë me të foli për mediat edhe “maqedonasi” Klisman Cake që u shpreh i lumtur për jetësimin e ëndërrës së fëmijërisë.

Tregoi se te Shkëndija të gjithë janë të gëzuar njësoj si Cake për këtë grumbullim të cilin ai nuk e kishte menduar, sidomos përpara një ndeshjeje si ajo ndaj Serbisë.

Sa i përket një premtimi për aktivizim ndaj Jordanisë, Cake u shpreh se kjo është diçka që nuk ndodh por tha se është në dispozicion për çdo vendim në dispozicion të Kombëtares, në fushë, në stol apo dhe në tribunë.

Dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as lojtarët më të vjetër se ai në përfaqësuese të cilët i falenderoi për mikpritjen e ngrohtë.

Për Caken, ngjyrat kuqezi janë diçka normale edhe në klub por ndjesia e Kombëtares është e pakrahasueshme.

Ashtu si traineri edhe mbrojtësi ftoi tifozët të mbushin shkallët e “Air Albania-s” mbrëmjen e të martës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë