Gazeta Si – Një tjetër operacion me “origjinë” nga Kolumbia ka sjellë goditjen e një grupi kriminal në Durrës të përfshirë në trafikimin e femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Në kuadër të operacionit “Storm 9”, është shpallur në kërkim D.G., 28 vjeç, me origjinë nga Kolumbia, i dyshuar si organizatori kryesor i veprimtarisë kriminale, i cili akuzohet për “Trafikimin e personave të rritur” dhe “Shfrytëzimin e prostitucionit”.
Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë dy vajza kolumbiane, M.A. dhe Y.C., të dyja 24 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dyshohet se ushtronin prostitucion dhe shpërndanin lëndë narkotike.
Policia thotë se ato akuzohen për “Prostitucion”, “Përshtatje e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Policia ka nisur procedim penal edhe për pronarin e apartamentit, shtetasin V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Po ashtu, janë proceduar penalisht tre shtetas të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë kontrollit në apartamentin e përdorur për veprimtarinë e paligjshme, u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, pesë celularë dhe pasaportat e dy shtetaseve të arrestuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



