Nga Gazeta Si – Mes emocionesh dhe festës kuqezinjtë folën për mediat dhe këto ishin fjalët e tyre.
– Presidenti Armando Duka
Emocionet e lojës janë të jashtëzakonshme por tani që ka mbaruar, ne e merituam fitoren por isha me zemër në dorë deri në fund. Te goli i Manajt jam gëzuar shumë pasi i kisha kërkuar të shënonte dy gola, por realizoi vetëm një. Nuk ka trainer që ta jep besimin nëse nuk e meriton. Nuk është vetëm fitore historike por është një fitore që na mban në lojë për Playoff. Që të shkojmë në Kupën e Botës duhet shumë punë dhe djersë. Për këtë duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën dhe pastaj të luajmë letrat tona ndaj Anglisë. Jam i lumtur që fituam por edhe i gëzuar që ishte një ndeshje që dha leksione pozitive për futbollin. Organizim perfekt nga Federata serbe të cilën duan ta falenderoj. Ishte gjithcka pozitive në fushë nga të gjithë. Një ndeshje që kaloi klasën me notë pozitive. Masat ishin të rrepta pasi kishin merakun të na kthenin atë cka ne bëmë në Elbasan dhe Tiranë për Serbinë. Ne e mbështetëm Federatën serbe dhe pranuam të luanim këtu. Nëse do kishte më shumë tifozë, presioni do ishte në anën e serbëve. Shpresoj dhe besoj që deri në avion do të ikim pa asnjë problem. Nga pikëpamja sportive, tani është një malore akoma më e vështirë. Dua të them që nuk ka ndeshje të lehta, përfshi edhe Andorrën. Kur menduam që ishte e lehtë, nuk e fituam në Letoni. Ishte një dhuratë jo për mua por për veten e tyre, familjet, prindërit dhe më pas për të gjithë tifozët. Të gjithë janë heronj në një fitore kaq të rëndësishme.
– Traineri Sylvinho
Jemi të lumtur pasi është një mbrëmje e bukur për vendin tonë. Mund të them kështu pasi kështu e ndjej Shqipërinë. Një hap i rëndësishëm por ndeshja e rradhës është akoma më e vështirë. Nuk kemi përfunduar ende asgjë. Sot jam krenar por do të shkojmë në dy ndeshjet e fundit në kushte të mira për të siguruar Playoff-in. Kjo ishte një skuadër që luante individualisht, Broja, Hoxha dhe Bajrami pa harruar Uzunin, bënë shumë mirë, jemi të kënaqur për ta. Kaluam 6 ditë analizë taktike me video. Kjo ishte një ndeshje që duhej përgatitur për ta fituar. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë. Mbani mend Vlahovic në zone, mund të na kishte ndëshkuar. I tërë stafi bëri një pune të jashtëzakonshme, lojtarët në fushë gjithashtu. Të bindnim lojtarët që sot do të fitonim ishte dicka shumë e rëndësishme.
– Myrto Uzuni
Luftuam me zemër duke dhënë maksimumin. Jemi një Kombëtare që funksionojmë si grup dhe së bashku mund të shkojmë larg. Jam i lumtur për atë që arritëm sot dhe isha i kënaqur që ndihmoja Hysajn në vështirësi. Unë jetoj për futbollin dhe në Kombëtare jam gati të luaj në cdo pozicion. I falenderoj të gjithë që më ndihmuan të jem këtu pas një periudhe të vështirë.
– Julian Shehu
Emocionet janë të papërkueshme. Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. I falenderoj të gjithë pafund, që më bënë këtë ditë të mundur. Bëmë krenarë gjithë shqiptarinë. Motivi ishte maksimal, e dinim që ishte ndeshje jetë a vdekje. Dhamë maksimumin, që kjo ditë të vinte. Është dita jonë, që të festojmë dhe ta shijojmë këtë moment. Rrugëtimi im, që nga Kastrioti deri sot, nuk ka qenë i lehtë. Pata dëmtim që më la mbrapa. Jam i lumtur që jam në këto momente. Përherë puna shpërblehet, jam i lumtur që kam arritur këtu sot.
– Armando Broja
U përgatitëm mirë për këtë ndeshje, ishim të përqëndruar dhe motivuar me një objketiv të vetëm, fitoren. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Por ne ishim të vendosur, zhvilluam një ndeshje të mirë dhe mbrojtëm të gjithë si skuadër. Në pjesën e dytë pashë Uzunin dhe Reyn në pozicion më të mirë, por më pengoi fusha. Personalisht është e vështirë për mua që nuk po shënoj si sulmues që jam. Edhe unë jam njeri dhe jam i mërzitur që nuk po shënoj.
– Elseid Hysaj
I thashë trainerit që kemi ndeshje të vështira por jemi të lumtur dhe duhet të festojmë pasi është e merituar. Ndihem mirë mes të rinjve dhe kur luaj me Brojën kuptohemi shumë mirë. Duhet ta kuptojmë dhe ndihmojmë që të shpërthejmë, Me Brojën më duhet të ndihmoj më shumë unë, por pak rëndësi ka, nëse fitojmë, gjithcka është e bukur. Rekordet janë bërë për tu thyer por tani nuk mund të them shumë. Dua vetëm të festojmë.
– Kristian Asllani
E dinim që na duheshin 3 pikë pasi barazimi nuk na vlente. E studiuam shumë mirë Serb;inë dhe në fund fituam. Jam i lumtur për familjen dhe të gjithë shqiptarët. E dinim sa e vështirë është kështu dhe për të marrë maksimumin duhet të ruanim qetësinë. Dua të përgëzoj Julin (Shehun) për atë cka po bën dhe tani jemi një grup i konsoliduar. Dua të falenderoj edhe lojtarët e stolit që na mbështetën.
– Berat Gjimshiti
“Big match – Big heart” ato që na duheshin për ta fituar këtë ndeshje. Presioni ishte më i lartë, krahasuar edhe me ndeshjen e Qershorit. Po e përshkruaj sic e kam ndjerë. Kur ishim në Shqipëri ishte ndryshe por kur mbërritëm këtu, presioni ishte shumë i lartë. Madje edhe më i lartë se Finalja e Europa League. Samardzic na vlerësoi pas ndeshjes për aspektin teknik sidomos. Minutat e para dhe nervoziteti nuk munguan por fituam besimin me kalimin e minutave. Të gjithë e meritojnë të festojnë për një sukses të tillë. Ajeti sa herë që vjen është gjithnjë gati. Njihemi prej shumë kohësh bashkë dhe ai jep maksimumin në Kombëtare. Tifozët i falenderojmë për mbështetjen që na japin. Janë më të mirët në Botë. Bashkëshortja (serbe) është me mua dhe më komplimentoi në fund.
– Rey Manaj
Jam i kënaqur për ekipin, Shqipërinë dhe Kosovën por duhet të rrimë me këmbë në Tokë pasi kemi edhe dy ndeshje të tjera për të siguruar Playoff-in. Kemi disa ditë që qëndruam bashkë dhe u përgatitëm mire mgjs presioni ishte shumë më i lartë se në Tiranë. Sot ishte një ndeshje e ndjerë që nëse e humbisnim nuk kishim shpresë për në Botëror. Tani dua vetëm të festoj ndërsa nga nesër do të mendojmë për Andorrën që e kemi në Nëntor. Rëndësi ka të shënoj, jo numri i tyre. Ky i sotmi ishte goli më i rëndësishëm në karrierën time dhe nëse do më thonin më përpara do jepja 10 vjet nga jeta për një gol të tillë. Merita është e të gjithëve duke filluar nga Presidenti deri te punonjësit që na ndihmojnë për të qënë në kushtet më të mira për këtë ndeshje. Golin ja dedikoj prindërve të mi. Kjo ishte një ndeshje që nëse më thonin që do rrish në tribunë por skuadra do të fitojë, do ta pranoja pa asnjë dyshim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



