Kosova

Osmani mandaton Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re në Kosovë

Gazeta Si – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin të shtunën për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për ta bërë Qeverinë e re.

Vendimi vjen pasi një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës u konstitua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.

“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti”, tha Presidenca.

Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë