Ka ndodhur

Incidente në Tiranë dhe Vlorë, kanosje e grushte (mes tyre dhe një avokat) ndaj rojeve të sigurisë në gjykata

Gazeta Si – Tre incidente kanë ndodhur këtë të premte, një në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe dy në Gjykatën e Vlorës sa i takon sigurisë në këto institucione pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Në kryeqytet, një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka kërcënuar rojen e sigurisë. Sipas burimeve, ai është Gentian Mali, i cili kishte një gjyq të të vëllait të tij dhe nuk u lejua të futej për shkak se seanca zhvillohej me dyer të mbyllura.

Në këtë moment, Mali nuk është përmbajtur dhe ka nisur të kërcënojë rojën e sigurisë, avokatë e gjyqtarë. “Jeni për tu vrarë të gjithë vras të gjithëve, avokatë e gjyqtarë”- mësohet të jetë shprehur personi i arrestuar. Ndërkohë personi në fjalë është shoqëruar nga policia.

Ndërkohë, një punonjës sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, është dhunuar gjatë ditës së sotme nga një avokat, i cili u arrestua nga policia. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të gjykatës, në zonën ku kalojnë personat përmes detektorëve të metaleve.

Sipas policisë, avokati 42-vjeçar me iniciale R.Ll., ka kërkuar të hyjë në pjesën ku kontrollohet nga pajisja që mbajnë rojet për metalet, por është penguar nga punonjësi i sigurisë.

“Nuk më njeh mua, unë kaloj çdo ditë këtu”,- mësohet se është shprehur avokati. Pas debatit verbal, situata ka degjeneruar në dhunë fizike ndaj punonjësit të gjykatës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin R. Ll., 42 vjeç, banues në Vlorë, me profesion avokat, pasi më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjatë një konflikti, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të këtij institucioni, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë”, – njofton policia.

Pas këtij incidenti, një tjetër episod dhune është regjistruar në ambientet e po kësaj gjykate në qytetin bregdetar.

Këtë herë një qytetar ka debatuar me punonjësin e sigurisë dhe më pas e ka goditur atë me grusht në fytyrë. Policia e Vlorës, pas marrjes së njoftimit, ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shoqëruar autorin në komisariat.

Sipas njoftimit zyrtar, “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin S.H., 70 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me grusht në fytyrë shtetasin K. T., 65 vjeç, punonjës sigurie në gjykatë”.

Ndërsa një qytetar nga Bulqiza, po me halle me drejtësinë në një proces të zvarritur sipas tij, zgjodhi një protestë paqësore, i vetëm para SPAK. Sherif Duriçi thotë se nuk po mundet të zbatohet një urdhër ekzekutimi për një dyqan në pronësi të tij.

“Kërkoj drejtësi, jam në gjyq për një dyqan në Bulqizë. Ka 10 vite në apel kjo çështje. Kam dalë të kërkoj të drejtën time, pronën time. Por këta gjyqtarë nuk gjykojnë të drejtën time”, u shpreh ai shkurt përballë interesit të medias.

Këto incidente, vijnë pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit më datë 6 tetor nga Elvis Shkambi, duke ngjallur edhe debat se kush duhet ta garantojë sigurinë në gjykata apo institucione të tjera të drejtësisë.

Me kërkesë të KLGJ, gjyqtarët zhvilluan dje, 9 tetor, një mbledhje ku u kërkua një plan i ri masash për institucionet e drejtësisë.

Ndërsa këtë të premte, kreu i GJKKO-së Erjon Bani dhe drejtori i Gardës së Republikës, Simon Zereci zhvilluan një takim sëbashku dhe inspektuan nga afër ambientet e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).

Një ditë më parë, qeveria shqiptare mori një vendim për sigurinë e prokurorëve, gjykatësve apo magjistratëve në vend.

Për shembull për kreun e SPAK, me përfundimin e detyrës, ai do të ketë deri në 3 vite garantim të sigurisë së tij, në nivel të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë