Ka ndodhur

Hiqej si prokuror për të mashtruar qytetarët, arrestohet 49-vjeçari në Sarandë

Gazeta Si – Një 49-vjeçar nga Tirana u arrestua në Sarandë, pasi prezantohej si prokuror për të përfituar shërbime dhe dokumente në mënyrë të paligjshme.

Edhe në momentin e ndalimit, ai iu prezantua punonjësve të policisë si përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme.

Policia thotë se A.M., ishte në kërkim, pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga Gjykata për të njëjtën vepër penale – mashtrim duke u paraqitur si funksionar publik.

Ai rezulton i dënuar më parë për mashtrim të disa shtetasve, të cilëve u ka marrë para duke u premtuar punësime apo zgjidhje ligjore në emër të institucioneve shtetërore.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Deceiver”, u arrestua edhe shtetasi E. Ç., 19 vjeç, i cili strehonte 49-vjeçarin në banesën e tij në Sarandë. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike tip “Shars”, municion luftarak, dokumente zyrtare, një kompjuter dhe radio komunikimi të ngjashme me ato të Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë