Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka vendosur të nisë zyrtarisht procedurat parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, ku u theksua se veprimet e kreut të shtetit janë “të pajustifikueshme dhe në kundërshtim me rolin e tij kushtetues.”
Veprimet e PD-së për shkarkimin e presidentit Begaj do mbështeten në pikën 2, të nenit 90 të Kushtetutës.
Në të njëjtën mbledhje, PD denoncoi mazhorancën për bllokimin e vazhdueshëm të kërkesave të opozitës në Kuvend dhe paralajmëroi kërkesa për komisione hetimore për zgjedhjet e 11 majit si dhe lidhjet Rama–McGonigal.
PD shprehet se mazhoranca po synon të kthejë Kuvendin në një institucion “memec”, ku nuk ka debat apo transparencë.
“Vetëm në këtë javë, mazhoranca në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ka refuzuar 3 mocione me debat, 1 kërkesë për interprelancë urgjente me Kryeministrin dhe 1 kërkesë për seancë dëgjimore në Komision me Ministren e Arsimit”, thuhet në njoftimin e ndarë nga grupi i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



