Nga Gazeta ‘SI’ – Nga sot, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA, sistemi i transferimit të pagesave në euro, duke e bërë këtë shumë më pak të kushtueshme për shqiptarët.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e quajti këtë zhvillim si gur themel për integrimin e plotë të Shqipërisë në infrastrukturën financiare të Europës.
“SEPA përkthen vizionin tonë të integrimit financiar në përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset: kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar. Tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë. Transaksione të shpejta: pagesat elektronike janë më të shpejta, më të sigurta dhe më komode. Transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës. Ndërkohë që ulje drastike do të ketë dhe për pagesat në mbërritje”, shpjegoi Sejko.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit. Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s;
Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së. Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



