Nga Gazeta Si – Juljan Shehu & Qazim Laçi ishin të parët që nisën konferencat për shtyp për ndeshjet e Tetorit dhe konkretisht, eleminatoren ndaj Serbisë.
Në “Stadiumin Arena Kombëtare”, të dy mesfushorët folën për rëndësinë që paraqet transferta e Leskovcit në rrugën e kuqezinjve drejt Botërorit amerikan.
Shehu e vuri theksin te profesionalizmi dhe dëshira e të gjithëve për të ruajtur të hapur rrugën drejt Playoff-it.
Ai nuk e vuan presionin, madje e quan atë normal dhe thotë se në Serbi do të shkohet për një rezultat pozitiv.
Fokusi dhe përqëndrimi duhet të jenë maksimal vetëm për 3 pikët, pavarësisht nëse ndeshja zhvillohet në Beograd apo diku tjetër.

Sa i përket duelit me Ramadanin për vendin në formacion, futbollisti i Widzew Lodz në Poloni, thotë se gjithçka vlen është skuadra, pavarësisht kush luan titullar.
Shehu tregon se me Ramadanin janë shokë dhe e mbështesin njëri-tjetrin.
Ndërsa e mbyll duke thënë se ashtu si në klub edhe në Kombëtare ai jep më të mirën, pavarësisht pozicionit dhe taktikës.
Nga ana e tij Qazim Laçi u shpreh se ndeshja duhet përgatitur vetëm për fitoren dhe se presioni nuk ndikon tek lojtarët e grumbulluar.
Ai nuk i përjashton emocionet por thotë se si profesionistë që janë, kuqezinjtë duhet të ruajnë qetësinë.

Në planin personal premton të japë maksimumin ashtu siç ka bërë gjithnjë, pasi është detyrim kur përfaqëson kombin tënd.
Për sfidën e kthimit ai niset nga paraqitja ndaj Serbisë në Tiranë.
Kujton rastet që mund t’iu jepnin kuqezinjve fitoren dhe thotë se detajet do të bëjnë diferencën.
Por përsërit se Shqipëria do të niset nga minuta e parë vetëm për ta fituar ndeshjen e kthimit.
Kur pyetet për mundësitë e fitimit të ndeshjes, Laçi thotë se statistikat janë për gazetarët.
Ndërsa lojtarët e dinë se do të jetë një ndeshje e mbyllur por shumë e rëndësishme për mbajtjen gjallë të ëndërrës drejt Botërorit të verës së ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



