Nga Gazeta Si – Harry Kane, Luis Díaz, Manuel Neuer dhe vetë Bayern Munich shkruan faqe të reja në librin e rekordeve të Bundesligës, pas fitores 3-0 ndaj Eintracht Frankfurt në raundin e 6.
Pas një sezoni ku shënuan 99 gola dhe rimorën titullin kampion me një diferencë prej 13 pikësh, bavarezët e Vincent Kompany kishin vendosur një standard të lartë.
Por pas 6 javëve të para të sezonit 2025/26, ata e kanë ngritur edhe më shumë atë.
Një rrufe në qiellin e Frankfurt – vetëm 15 sekonda pas fillimit, Luis Díaz shënoi golin e parë, duke barazuar rekordin e klubit për golin më të shpejtë jashtë fushe, vendosur sezonin e kaluar nga Jamal Musiala.
Ky është gjithashtu goli i 12-të më i shpejtë në historinë e Bundesligës.
Harry Kane nuk mbeti pas. Me një goditje të saktë nga jashtë zonës, anglezi realizoi gol nr. 11 në kampionat këtë sezon – një rekord absolut në historinë e Bundesligës pas vetëm 6 javësh.
Në këtë ritëm, rekordi historik i Robert Lewandowskit me 41 gola në një sezon duket tashmë në horizont.
Me golin e dytë të Díaz, Bayern-i arriti në 25 gola të shënuar në 6 ndeshje – asnjë skuadër në historinë e Bundesligës nuk e ka arritur këtë kuotë kaq shpejt.
Nëse kujtojmë që Musiala apo Alphonso Davies – dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës – mungojnë për shkak dëmtimesh, e bën këtë arritje edhe më mbresëlënëse.
Ndërkohë, Manuel Neuer regjistroi një tjetër ndeshje pa pësuar gol, duke u bërë portieri me më shumë ndeshje pa pësuar gol në historinë e klubit, 222 në total, duke e përforcuar statusin e tij si një legjendë e gjallë e Bayern Munich.
E thënë ndryshe, një tjetër ditë historike për plurikampionët, që shfaqen më të fortë se kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



