Futboll

Derbi i bardhë i Italisë

Nga Gazeta Si – Përballja e 309 mes Juventus-it dhe Milan-it, luhej për kreun mes dy skuadrave me ecuri të ndryshme këtë sezon.

Ishte ndeshja e zemrës për Max Allegri-n që për të parën herë pas 12 viteve, u kthye si kundërshtar në “Stadium”.

Traineri kuqezi ishte i vetmi që nuk u vërshëllye në prezantim.

Përkundrazi u duartrokit për 3 sekonda dhe banderolat për të nuk munguan.

Si konfirmim që Juventus nuk harron, aq më pak një si Max.

Ashtu siç pritej dhe u zhvillua, një ndeshje taktike me pak emocione, ritëm të ulët dhe një rast për secilën nga skuadrat përpara pushimit.

Jonathan David për Juventus-in dhe Santiago Gimenez për Milan-in nuk gjetën dot rrugën e rrjetës.

Kapiteni Maignan u bë heroi i miqve kur ndali vendasin Gatti, 3′ pas rikthimit në zonën e vogël të rreptësisë.

Maignan ndal Gatti-n në pjesën e dytë

Në 52′ Kelly shkaktoi faull ndaj Gimenez dhe kryesori Guida akordoi 11 metërsh.

Dy minuta më vonë Pulisic gjen një nga goditjet më të dobëta personale duke sfumuar me një gjuajtje larg portës, penalltinë e kuqezinjve.

Në zhvillimet e pjesës së dytë, Leao sheh Di Gregorio-n jashtë zonës së tij dhe provoi ta befasonte nga mesi i fushës

Por konkluzioni i portugezit përfundoi mbi traun e portës ndërsa portieri vendas ishte brenda saj.

Në 73′ rasti i dytë për kuqezinjtë pas 11 metërshit.

Pulisic krosoi nga e majta dhe Leao në shtyllën e dytë gabon nga një distancë prej 3 metrash nga porta.

Sërish Leao në 89′ u ndal nga Di Gregorio dhe Loftus Cheek nuk përfitoi pas tij duke nervozuar Allegri-n në stolin e Milan.

Në përfundim të 3′ shtesë, skuadrat u detyruan të kënaqen me barazimin pa gola, i 92 në historinë e Derbit të Italisë.

Milan mbeti në vendin e 3 me 13 pikë, 2 më pak se Napoli dhe Roma.

Ndërsa Juventus në vendin e 5 me 12 pikë, 1 më pak se Milan dhe 3 më pak se kryesuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë