Interviste

Drejtuesja e re e Galerisë Kombëtare të Arteve/ Adela Demetja: Po rimodelohet si një institucion i ri

"Sfida është e madhe, pasi institucioni ka qenë jashtë funksionit për disa vite për shkak të rikonstruksionit. Por kjo më jep mundësinë ta rimendoj Galerinë si një institucion të ri. Ndërkohë që presim përfundimin e godinës së re me hapësira të zgjeruara ekspozimi, po punojmë për digjitalizimin e arkivës dhe analizën e fondit aktual. Synimi është që kur muzeu të rihapet, koleksioni të prezantohet me dinjitetin që i takon, si përmbledhja e vetme e zhvillimit të artit pamor në vend"

Nga Liridon Mulaj- Galeria Kombëtare e Artit, edhe pse ende e mbyllur për shkak të rikonstruksionit, prej muajit korrik ka një drejtues të ri.

Adela Demetja, e lindur në Tiranë, është kuratore arti që jeton mes Tiranës dhe Frankfurtit. Ajo ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas ka marrë master në “Studime Kuratoriale dhe Kritike” në Städelschule dhe Universitetin Goethe, Frankfurt. Në vitin 2010 themeloi Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, të cilën e drejtoi deri në vitin 2025.

Si kuratore e pavarur, ka organizuar ekspozita ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë intervistë për Gazetasi.al, Adela Demetja prezanton së pari veten për ata që nuk e njohin, por gjithashtu ndan me ne synimet dhe vizionin e saj për Galerinë e re të Arteve, e cila nuk do të jetë vetëm një hapësirë ekspozimi, por një laborator i mirëfilltë i artit pamor: me arkiva të digjitalizuara, hapësira moderne ekspozimi dhe si një institucion ndërmjetësues mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë.

Kush është Adela Demetja si një prezantim i parë me një  publik që nuk ju njeh?

Unë jam një kuratore dhe menaxhere arti që prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh punoj mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në Shqipëri kam qenë pjesë aktive e skenës së pavarur të artit, përmes organizatës jofitimprurëse Tirana Art Lab – Qendër për Artin Bashkëkohor, të cilën e themelova në vitin 2010. Karriera ime si kuratore e pavarur është ndërtuar mbi projekte ndërkombëtare, kërkim shkencor dhe kuratorial, me fokus në promovimin e artisteve shqiptare dhe të rajonit nëpër botë, si dhe duke sjellë vëmendje mbi artistët e nënvlerësuar në historinë e artit, veçanërisht gratë artiste. Shumë ndoshta nuk më njohin sepse pjesën më të madhe të punës e kam zhvilluar jashtë Shqipërisë, por misioni im ka qenë gjithmonë të krijoj ura bashkëpunimi dhe të bëj të dukshme praktikat artistike shqiptare e të rajonit në skenën ndërkombëtare.

Si është të drejtosh një institucion i cili nuk ka ende një hapësirë fizike ( për shkak të restaurimit) dhe çfarë pritet të ndodhë me fondin aktual të Galerisë Kombëtare të Arteve?

Sfida është e madhe, pasi institucioni ka qenë jashtë funksionit për disa vite për shkak të rikonstruksionit. Por kjo më jep mundësinë ta rimendoj Galerinë si një institucion të ri. Ndërkohë që presim përfundimin e godinës së re me hapësira të zgjeruara ekspozimi, po punojmë për digjitalizimin e arkivës dhe analizën e fondit aktual. Synimi është që kur muzeu të rihapet, koleksioni të prezantohet me dinjitetin që i takon, si përmbledhja e vetme e zhvillimit të artit pamor në vend. Linja e re muzeale do të sjellë një narrativë të përditësuar dhe shumë vepra që deri më sot nuk janë prezantuar.

Deri më sot Galeria ka shërbyer thuajse si një mjedis ekspozimi i veprave. Cilat janë risitë që pritet të sjellë menaxhmenti i ri, referuar sigurisht edhe hapësirave të reja që do të ketë institucioni?

Ne synojmë të kalojmë nga një galeri që ka shërbyer kryesisht si hapësirë ekspozimi, në një muze kombëtar me program të plotë: kërkim shkencor, edukim, botime, programe publike dhe bashkëpunime ndërkombëtare. Hapësirat e reja ekspozuese do të mundësojnë prezantime bashkëkohore të ekspozitave retrospektive të artistëve nga koleksioni ynë, si dhe ekspozita eksperimentale me vepra të reja nga artistë në mesin e karrierës së tyre. Nuk do të mungojnë ekspozitat e grupit dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, të cilat do të fokusohen më shumë në fushën e kërkimit, dokumentimit dhe publikimit.

Ju vini në këtë post pas një karriere të gjatë kryesisht jashtë Shqipërie. A mendoni se përvoja juaj do të ndryshojë deri diku qasjen ndaj artit pamor, së paku në mënyrën e menaxhimit të institucionit?

Përvoja ime në institucione ndërkombëtare më ka dhënë perspektivë mbi standardet profesionale të menaxhimit institucional dhe mbi mënyrën bashkëkohore se si arti vendor mund të lidhet me diskursin global. Mendoj se do të arrijmë të përmirësojmë disa politika kulturore që do të mundësojnë transformimin e Galerisë Kombëtare të Arteve në një institucion bashkëkohor. Synimi është që përmes ekspozitave dhe projekteve cilësore të prodhojmë dije të reja dhe të nxisim reflektim kritik mbi kohën në të cilën jetojmë.

Viteve të fundit po i jepet një prioritet artit pamor, këtu kam parasysh atij multimedial, videoartit, instalacionit, pra artit kontemporan duke lënë në njëfarë mënyrë në hije disi gjinitë e tjera . A mendon se në Shqipëri ka një publik të përgatitur për këtë lloj arti, ende abstrakt dhe i parrokshëm për një pjesë të madhe të këtij publiku?

Publiku shqiptar është shumë më i hapur sesa shpesh mendohet. Arti bashkëkohor mund të duket abstrakt, por përvoja tregon se kur ai shoqërohet me programe edukative dhe interpretime të qarta, publiku e përqafon. Ne do të punojmë që arti bashkëkohor të mos shihet si diçka elitare apo e largët, por si një mjet për të reflektuar mbi realitetin tonë të përbashkët.

Në promovimin e hapësirës “Hangart” pranë ish Kinostudios, kryeministri Rama u shpreh se në Shqipëri ka mungesë të menaxherëve të artit. Sipas jush kjo është mangësi e formimit tradicional, apo arti tashmë kërkon një lloj tjetër identikiti të menaxherit?

Praktikat bashkëkohore të sistemit të artit kërkojnë menaxhim kompleks: që përfshin jo vetëm njohjen e koleksioneve, artistëve dhe veprave, por edhe aftësinë për të ngritur programe, për të siguruar partneritete, financime dhe për të menaxhuar projekte ndërkombëtare.

Mungesa e formimit në këtë fushë është një sfidë për vendin tonë, por kjo është arsyeja pse unë besoj se GKA duhet të luajë një rol edhe në formimin e profesionistëve të rinj. Kjo mund të bëhet përmes praktikave dhe programeve edukative brenda sektorëve të institucionit. Para dy vitesh, me Tirana Art Lab, solla në jetë një program edukimi alternativ në fushën e kurimit – Kurim me Përkujdesje – ku aspirantë për kuratorë u trajnuan për katër muaj nga ekspertë vendas dhe të huaj. Në shtator nisi edicioni i dytë i programit, dhe shpresoj që në të ardhmen të zhvilloj edhe programe edukative për menaxherët e artit, një profesion tejet i domosdoshëm për mbarëvajtjen e fushës së arteve pamore.

A është ky pozicion nisja e një karriere të gjatë në Shqipëri duke e konsideruar tashmë edhe si truallin e artit tënd?

Po, këtë pozicion e shoh si një përgjegjësi dhe një mundësi për të kontribuar në mënyrë afatgjatë. Jam shumë e lidhur me Shqipërinë dhe e konsideroj detyrë, por edhe kënaqësi, të kontribuoj që Galeria Kombëtare e Arteve të bëhet një institucion model për Shqipërinë dhe rajonin, gjithmonë duke pasur mbështetjen e aktorëve institucionalë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë