Banka e Shqipërisë nuk e ndryshoi normën bazë të interesit prej 2.5%, pasi sipas Guvernatorit Gent Sejko, perspektiva ekonomike është pozitive, pavarësisht pasigurive që burojnë nga tregu i huaj.
“Pasiguria ende e lartë në mjedisin e jashtëm mbetet një faktor rreziku për zhvillimet në vend. Dinamikat tregtare dhe gjeopolitike, si dhe luhatjet e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, mbartin pasiguri dhe kërkojnë ndjekjen e politikave të kujdesshme”, tha Sejko.
Përtej performancës negative të bujqësisë dhe industrisë prej muajsh, banka qendrore vlerëson se rritja ekonomike edhe për vitin e ardhshëm do të jetë në shifrat 3.5% – 3.7%.
“Rritja ekonomike është e qëndrueshme, dhe pritet të vazhdojë. I njëjti parashikim do të jetë edhe për vitin 2026, në shifrat e këtij viti”, tha Sejko.
Sa i përket inflacionit i cili pritet të kthehet në objektivin prej 3% në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, Sejko tha se rritja e çmimeve në muajit e fundit ka ardhur prej dy faktorëve.
“Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt korrik e gusht, duke arritur në nivelin 2.4%, nga 2.3% në tremujorin e dytë. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të ushqimeve vijoi të bjerë”, tha Sejko.
Guvernatori tha se po punohet edhe për një plan për reduktimin e parasë cash në ekonomi.
Nga data 7 tetor do të nisin transfertat përmes SEPA, tha guvernatori, dhe qytetarë e biznese do të kenë komisione më të ulëta për transfertat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



