Ekonomi

Vera ‘thau’ besimin e bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi. Të gjithë presin rënie çmimesh!

Nga Gazeta ‘SI’ – Besimi i bizneseve në ekonomi dhe konsumatorëve ra gjatë verës, krahasuar me pjesën paraardhëse të vitit.

Konkretisht, në muajin shtator, besimi në ekonomi ra me 1.3 pikë duke ruajtur tendencën rënëse të muajve të shkuar, ndikuar nga një pesimizëm i shfaqur tek bizneset e tregtisë dhe industrisë, raporton Banka e Shqipërisë.

Besimi i bizneseve tregtare ra fort gjatë shtatorit, 9.7 pikë përqindje, pas vlerësimit në ulje për ecurinë e biznesit dhe pritjeve për nivelin e punësimit dhe çmimeve.

Besimi në industri ra me 6.5 pikë përqindje gjatë shtatorit, ndikuar nga rënia e prodhimit, kërkesës dhe eksportit. Bizneset e industrisë presin rënien çmimesh në të ardhmen.

Treguesi i besimit në ndërtim nuk pësoi ndryshime gjatë shtatorit, ndonëse ndërtuesit e vlerësojnë pozitivisht aktivitetin, por presin rënie të kërkesës. Pritjet për çmimet  u rishikuan në ulje.

Për konsumatorët, besimi në ekonomi është rritur me 0.8 p.p, në gjendje për të kryer dhe blerje të mëdha, por pritjet për situatën financiare shënuan rënie.

Shërbimet, rezultojnë më optimistët në shtator, por me një rritje vetëm 2 p.p. Bizneset e këtij sektori presin rritje të kërkesës, por rënie çmimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë