Nga Gazeta ‘SI’ – Delina Ibrahimaj, rikthyer në pozicionin e ministres së Ekonomisë, prezantoi për mediat zhvillimet ekonomike të këtij viti.
Ministrja rikujtoi se paga minimale do të rritet vitin e ardhshëm, në 50 mijë lekë dhe se të gjithë punonjësit e rinj, do të kenë tatim zero për 18 muajt e parë të punës.
“Ndërkohë, që paga bruto është në nivelin e 83, 906 lekë ose e rritur në 11.4% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024. Ne presim që dinamikat e tregut të punës të vijojnë të rriten në vitet në vijim, siç kemi paraqitur në programin tonë të qeverisjes, paga minimale do të rritet duke filluar nga viti 2026. Sot është në nivelin 40 mijë lekë, do të shkojë në nivelin 50 mijë lekë, duke garantuar një peshë më të ulët të kësaj rritjeje të shpenzimeve për bizneset shqiptare, pasi ne kemi marrë vendimin që për 18 muajit e parë, kostot për biznesin sa i përket taksave dhe kontributëve, nuk do të rriten për këtë periudhë 18 mujore”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, shifrat tregojnë se ka një rritje konsumi, si rezultat i rritjes së pagave dhe investimeve.
Ndalur tek eksportet, ministrja që mbulon dhe inovacionin, tha se në këtë treg një rol kyç ka edhe sektori i teknologjisë.
“I ndikuar kryesisht nga zhvillimet në nënsektorin e teknologjisë së komunikimit, i cili prej vitesh ka drejtuar zhvillimet ekonomike, kemi pasur një ecuri pozitive edhe në nënsektorin e teknologjisë së informacionit dhe eksportet në këtë ndërtim janë rritur”, tha Ibrahimaj.
Një tregues pozitiv për performancën e ekonomisë, sipas ministres, është edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara: 2 mijë e 200 biznese, paralelisht më një normë papunësie në rënie,
Turizmi është kthyer në një motor kryesor të rritjes së shërbimeve dhe të ekonomisë kombëtare sipas ministres Ibrahimaj.
Duke folur për shërbimet, ajo tha se janë rritur me 3.4 milionë lekë. “Turizmi dhe udhëtimet përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj rritjeje. Numri i turistëve dhe vlera e shtuar prej tyre është rritur me 6.7%.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



