Gazeta Si – Shtëpia e Bardhë ka publikuar planin e paqes të propozuar nga Presidenti Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Iniciativa, e diskutuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, përfshin si kushte kryesore një armëpushim të menjëhershëm nëse pranohet nga të dyja palët, lirimin e pengjeve, demilitarizimin e Gazës, krijimin e një qeverisjeje kalimtare dhe hapjen ndaj një bashkëjetese të mundshme paqësore në të ardhmen.
Krahas ndryshimeve të thella në krahasim me versionin paraprak, në plan nuk përfshihet më pika që përmendte se Izraeli nuk do të sulmonte më Katarin, element ky i fshirë pas një telefonate mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe atij të Katarit.
Në qendër të planit është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të gjallë apo të vdekur, brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm dhe mbi 1 mijë e 700 palestinezë nga Gaza të arrestuar pas 7 tetorit. Për çdo trup të pengjeve që kthehet, Izraeli do të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve.
Dokumenti thekson qartë se Hamas nuk do të ketë më asnjë rol në Gaza, ndërsa të gjitha strukturat e tij ushtarake dhe të infrastrukturës terroriste, përfshirë tunelet, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Procesi do të mbikëqyret nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë.
Po ashtu, krijimi i një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) nuk është më një ide e përgjithshme, por një plan konkret: SHBA, vendet arabe dhe partnerë ndërkombëtarë do të formojnë një njësi të përkohshme që do të dislokohet menjëherë në Gaza.
Kjo forcë do të trajnojë dhe mbështesë policinë palestineze, duke bashkëpunuar me Jordaninë dhe Egjiptin, si dhe me Izraelin për sigurinë kufitare.
Plani rikonfirmon se Izraeli nuk do të aneksojë apo pushtojë Gazën. Ndërkohë që ISF vendos kontrollin dhe stabilitetin, forcat izraelite (IDF) do të tërhiqen në faza, sipas një kalendari të dakorduar me ISF-në. Një perimetër sigurie do të mbahet i pranishëm derisa Gaza të jetë e mbrojtur plotësisht nga çdo kërcënim terrorist.

Ja 20 pikat kryesore të planit:
1.Armëpushim i menjëhershëm – Të gjitha operacionet ushtarake në Gaza duhet të ndërpriten me marrëveshje, me ngrirje në vijat e frontit.
2.Lirimi i pengjeve brenda 72 orëve – Hamasi duhet të lirojë të 20 pengjet e gjalla dhe të kthejë eshtrat e 24 të ndjerëve të mbajtur që nga 7 tetori 2023.
3.Lirimi i të burgosurve palestinezë – Izraeli do të lirojë qindra të ndaluar për çështje sigurie, përfshirë më shumë se 1,000 të arrestuar pas vitit 2023, dhe do të kthejë eshtrat e palestinezëve të ndjerë.
4.Amnisti për anëtarët “paqësorë” të Hamasit – Ata që janë të përkushtuar ndaj bashkëjetesës paqësore do të jenë të kualifikuar për amnisti; të tjerët do të shoqërohen në vendet që janë të gatshme t’i pranojnë ata.
5.Asnjë rol politik për Hamasin – Hamasi nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë drejtpërdrejt ose tërthorazi në qeverisjen e ardhshme të Gazës.
6.Shkatërrimi i objekteve ushtarake të Hamasit – e gjithë infrastruktura dhe tunelet ushtarake duhet të eliminohen.
7.Tërheqje graduale e IDF – Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të tërhiqen gradualisht nga Rripi.
8.Asnjë pushtim ose aneksim izraelit – Gaza do të mbetet territor palestinez, pa aneksim ose pushtim.
9.Zonë e deradikalizuar dhe pa terrorizëm – Gaza do të transformohet në një hapësirë të lirë nga strukturat terroriste për të siguruar sigurinë.
10.Qeverisje kalimtare – Një komitet teknik apolitik, me ekspertë ndërkombëtarë, do të jetë përgjegjës për menaxhimin e shërbimeve dhe komunave.
11.Këshilli Ndërkombëtar i Paqes (“Bordi i Paqes”) – organ që mbikëqyr tranzicionin, i kryesuar nga Trump dhe me pjesëmarrjen e Blair dhe udhëheqësve arabë/muslimanë.
12.Stimuj për të Qëndruar në Gaza – asnjë dëbim i detyruar; palestinezët do të nxiten të qëndrojnë për rindërtim.
13.Reforma e Autoritetit Palestinez (AP) – AP mund të marrë kontrollin e Gazës vetëm pas një cikli reformash radikale.
14.Rruga drejt një Shteti Palestinez – plani njeh aspiratat legjitime të shtetësisë palestineze dhe promovon dialogun SHBA-Izrael-Palestinë.
15.Plani i Zhvillimit “Trump” – programe rindërtimi ekonomik për Gazën me fokus në infrastrukturë dhe turizëm.
16.Financimi Arab dhe Ndërkombëtar – Vendet muslimane dhe arabe (Katari, Egjipti, Arabia Saudite) do të kontribuojnë financiarisht.
17.Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (GITA) – mision i përkohshëm për të monitoruar sigurinë dhe flukset e ndihmës.
18.Garancitë e Ndihmës Humanitare – akses i pakufizuar për agjencitë ndërkombëtare, me mbikëqyrje për të parandaluar abuzimin.
19.Demilitarizimi total i Gazës – territori do të pastrohet nga armët dhe tunelet për të parandaluar kërcënimet e ardhshme.
20.Dialogu Rajonal i Paqes – negociata për të zgjeruar paqen në Lindjen e Mesme, duke përfshirë integrimin e Iranit në Marrëveshjet e Abrahamit dhe garancitë kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



