Ka ndodhur

Eksploziv makinës së administratorit në Fushë-Krujë. Ilir Loci mohon konfliktet

Gazeta Si – Makina e administratorit të Njësisë Administrative Fushë-Krujë, Ilir Loci, është shpërthyer me eksploziv mbrëmjen e të martë rreth orës 22:00, në fshatin Larushk.

Siç bën me dije policia, ‘Range Roveri’ ishte i parkuar pranë një lokali. Prej shpërthimit të lëndës plasëse, është dëmtuar edhe një automjet tjetër.

Loci, ka pretenduar në polici se nuk ka konflikte me njeri. Në fakt, objektivi ka qenë makina e Locit, por e dëmtuar ka mbetur edhe automjet aty pranë, që i përket një personi që po darkonte në restorantin ku ndodhi ngjarja.

Makina tjetër ndodhej rreth 10 metra larg Range Roverit të Locit. Paraprakisht dyshohet se sulmi të jetë një paralajmërim lidhur me detyrën e Locit.

Eksplozivi u hodh nga një rrugicë krah restorantit. Ndërkohë, policia po vazhdon punën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe identifikuar dhe kapur autorin.

“Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 2 automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve E. K. dhe I. L. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Krujës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë