Ne rrjet

Sekuestrimi rekord i kokainës në Rusi, zbulon një rrugë të re trafikimi nga Ekuadori

Zyrtarët rusë gjetën 1.500 blloqe kokaine të fshehura në banane të dërguara nga Ekuadori. Një raport i inteligjencës e përshkruan Rusinë si një lojtare të rëndësishme në diversifikimin e rrugëve të trafikimit

Gazeta Si – Sekuestrimi rekord i kokainës nga autoritetet ruse, pasqyron raportet e fundit që tregojnë se vendi është bërë një nga destinacionet kryesore për dërgesat që largohen nga Ekuadori, eksportuesi më i madh në botë i kësaj droge.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), njoftoi më 19 shtator 2025 sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë ruse, duke publikuar një video që tregon 1,515 kg kokainë (1.5 tonë) në 1,500 blloqe të fshehura brenda kutive me banane të dërguara nga Ekuadori në portin e Shën Petersburgut.

Sekuestrimi nxori në pah gjetjet e një raporti inteligjence të marrë nga aleanca gazetareske, e cila thotë se Rusia është bërë një lojtare e rëndësishme në diversifikimin e rrugëve të përdorura nga trafikantët e drogës për të shmangur kontrollet gjithnjë e më të rrepta në Evropën Perëndimore.

“Ky ndryshim nxjerr në pah fleksibilitetin e organizatave kriminale për t’u përshtatur me barrierat e vendosura nga forcat e ligjit dhe për të zgjeruar operacionet e tyre në tregje më fitimprurëse”, vëren raporti i Qendrës Ndërkombëtare për Kërkime dhe Analiza kundër Trafikimit Detar të Drogës (CIMCON).

Më shumë se shtatë tonë metrikë kokainë me origjinë nga Ekuadori u sekuestruan në Rusi gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, sipas CIMCON, një iniciativë inteligjence e Marinës Kolumbiane që përfshin hetues dhe oficerë detarë nga vende të tjera.

Analiza e CIMCON tregoi se Meksika dhe Spanja ishin dy destinacionet kryesore për drogën nga Ekuadori, ndërsa Rusia është bërë vendi i tretë kryesor. Organizata Botërore e Doganave (OBD), një grup ndërqeveritar me seli në Bruksel, i mbështeti këto gjetje.

Një raport i OBD-së në qershor analizoi 2,252 zbulime droge në kontejnerë transporti në të gjithë botën midis viteve 2023 dhe 2024, dhe gjithashtu theksoi modelin në rritje të trafikimit të kokainës drejt Rusisë.

Sipas raportit të OBD-së, pjesa më e madhe e kokainës që mbërrinte në Rusi, ishte ruajtur në dërgesa bananesh.

Pesë tonë kokainë u sekuestruan në arka bananesh nga Ekuadori me destinacion Rusinë në vitin 2023, ndërsa 12 tonë u sekuestruan në kuti në vitin 2024.

Ekuadori është aktualisht eksportuesi më i madh në botë i kokainës dhe bananeve, sipas analizave nga organizata të tilla si Programi Botëror i Ushqimit (OBF).

“Grupet ruse të krimit të organizuar ka të ngjarë të kërkojnë gjithnjë e më shumë të shfrytëzojnë tregtinë e tyre të bananeve me Ekuadorin për të nxitur si rritjen e konsumit të brendshëm të kokainës ashtu edhe grumbullimin e kokainës për kanalizimin në tregjet fitimprurëse të Evropës Perëndimore”, – thuhet në raportin e OBD-së.

Rusia është bërë blerësi më i madh individual i bananeve ekuadoriane, me 1.5 milionë tonë gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025. Rusia është e dyta vetëm pas Bashkimit Evropian, sipas një raporti nga shoqata kryesore e eksportimit të bananeve të Ekuadorit (AEBE).

Sipas OBD-së, bananet janë një produkt i preferuar për fshehjen e drogave të paligjshme të transportuara në kontejnerë.

Gjatë periudhës së studiuar nga organizata, bananet përbëjnë ngarkesën e raportuar në afërsisht 35% të kontejnerëve të përcaktuar si ngarkesë ku u gjetën drogë.

Kokaina nga sekuestrimi rekord i Rusisë javën e kaluar, u transportua në një anije të quajtur “Cool Emerald” nga porti i Guayaquil, sipas informacionit të lëshuar nga FSB.

Duke konsultuar të dhënat globale të trafikut detar, OCCRP zbuloi se një anije me flamur panamez, e quajtur “Cool Emerald” u nis më 10 gusht nga Terminali i Kontejnerëve “Libertador Simón Bolívar”, i vendosur në portin e Guayaquil dhe i operuar nga kompania private “Contecon”.

Sipas të dhënave të trafikut detar, “Cool Emerald” mbërriti në Shën Petersburg 19 ditë pasi u largua nga Ekuadori.

Porti i Guayaquil u përshkrua si “rrezik i lartë” për infiltrim dhe korrupsion në një vlerësim të sigurisë së Bashkimit Evropian të vitit 2024 të përgatitur nga një firmë konsulence daneze, i cili përmendi vrasjen e një oficeri sigurie dhe rrëmbimin e një operatori skaneri.

Të dy viktimat ishin midis një numri të madh njerëzish të lidhur me stafin e Portit të Guayaquil, të prekshëm ndaj kërcënimeve dhe shantazhit nga krimi i organizuar.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë